Botë

Rusia kërcënon ta ndërpresë furnizimin me gaz për Finlandën

Rusia mund të ndalojë, duke nisur nga e premtja, furnizimet e saj me gaz për Finlandën, për shkak të vendimit të shtetit skandinav për të aplikuar për anëtarësim në NATO, raportoi Sky News të enjten.

Politikanët e Finlandës janë paralajmëruar për këtë veprim, raportoi gazeta finlandeze “Iltalehti”, duke cituar burime të paidentifikuara.

Gazeta nuk specifikoi se nga erdhi paralajmërimi.

Kërcënimi rus vjen pasi presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto dhe kryeministrja, Sanna Marin njoftuan për synimin e vendit për të kërkuar anëtarësimin në NATO "pa vonesë".

Kremlini u përgjigj menjëherë, duke i përshkruar veprimet e Finlandës si për të ardhur keq dhe "padyshim" një kërcënim për Rusinë "dhe një arsye për një përgjigje simetrike".

Rusia ka paralajmëruar më parë për "pasoja ushtarake dhe politike" nëse Finlanda dhe Suedia vendosin të anëtarësohen në NATO. Rusia po ashtu ka thënë se do të detyrohet të ndërmarrë "hapa hakmarrës" mbi lëvizjen e fqinjit të saj Finlandës për t'u bashkuar me NATO-n.

Finlanda ndan një kufi prej 1,300 km me Rusinë. Deri më tani, ajo ka qëndruar jashtë NATO-s për të shmangur antagonizimin e fqinjit të saj lindor.

Finlanda do të shpallë zyrtarisht vendimin e saj të dielën pasi të jetë shqyrtuar nga parlamenti dhe figura të tjera të larta politike.