Botë

Ushtarët rusë kapen duke vrarë civilët pas shpine

Një video e publikuar nga CNN ka treguar ushtarë rusë që kanë qëlluar pas shpine dy civilë të paarmatosur teksa dalin nga një objekt në kryeqytet të Ukrainës.

CNN-i ka thënë se video e marrë nga kamerat e sigurisë po hetohet për krime lufte nga prokurorët ukrainas.

Janë identifikuar edhe viktimat.

Njëri ishte pronar i një kompanie shitblerjeje të veturave. Tjetri ishte një rojë 68-vjeçar që punonte aty. E bija e tij, që s’ka mundur ta shikonte videon e vrasjes, ka thënë se po e ruan që një ditë t’ua tregojë fëmijëve që të mos harrojnë se si ka qenë pushtimi nga Rusia.

“Janë ekzekutuar. Është e rëndë sepse babai im ishte civil, 68-vjeçar, njeri paqësor e i paarmatosur”, ka thënë ajo.

Ngjarja kishte ndodhur më 16 mars.

Sipas CNN-it, fillimisht pesë ushtarë rusë kishin hyrë në objektin e biznesit duke thyer xhamat. Pasi pronari ishte afruar me duart lartë, ata i kërkuan të ndalej dhe kontrolluan për armë. Pati edhe bisedë para se ushtarët të ecnin e dy civilët të nisnin të largoheshin drejt zonës së rojeve. Aty shihen duke dalë dy ushtarë nga prapa dhe gjuajnë në drejtim të tyre. Të dy civilët bien për tokë.

Prokuroria ukrainase ka konfirmuar se po e heton rastin si krim lufte.

Rusia s’ka komentuar videon.

KUJDES, PAMJE TË RËNDA!