Botë

Ministri serb krah Rusisë në marshin me shkronjën “Z” në krye

lufta, rusia, ukraina, serbia, 9 maj

Paralelisht me paradën ushtarake në Moskë, ku të hënën, u shënua Dita e Fitores në Luftën e Dytë Botërore, në Beograd u mbajt manifestimi “Regjimenti i pavdekshëm”, gjatë të cilit u tha se “Serbia dhe Rusia kanë qenë gjithmonë në anën e duhur të historisë”, shkruan gazeta “Danas”.

Në ecjen krah ambasadorit rus në Beograd, Alexander Botsan Kharchenko, ishin edhe ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviq dhe drejtori i “SrbijaGas”, Dushan Bajatoviq.

“Gjyshërit tanë e fituan këtë luftë së bashku me vëllezërit tanë rusë”, tha Popoviq gjatë manifestimit.

Ai shtoi se gjenerata e sotme ka për obligim që me të gjitha mjetet politike t'i mbrojë dy vlerat më të mëdha të Serbisë - lirinë dhe pavarësinë, duke iu referuar kështu presioneve ndërkombëtare për t’i vënë sanksione Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.

Serbia është ndër vendet e vetme në Evropë që ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë. 

Në krye të kolonës ishte një pankartë e madhe "Regjimenti i pavdekshëm" dhe një figurë prej kartoni e presidentit rus Vladimir Putin, si dhe një shkronjë e madhe "Z", që simbolizon agresionin rus në Ukrainë, të nisur më 24 shkurt.

Image