Botë

Anulohet pjesa ajrore e paradës për Ditën e Fitores në Moskë

Descriptive Text

Rusia ka anuluar pjesëmarrjen e avionëve e helikopterëve në paradën për Ditën e Fitores, që ka nisur në orët e para të së hënës në Moskë dhe shumë qytete të tjera ruse.

Çdo vit, pjesa akrobatike e aeroplanëve ishte pjesë e paradës, por këtë vit është anuluar me arsyetimin se “nuk lejojnë kushtet atmosferike”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmity Peskov, përcjell Newsweek.

Në ceremoni ishte paralajmëruar edhe ngritja e aeroplanit “Ilyushin-80” i njohur edhe si “Dita e Kijametit". Ai pretendohet se është i ndërtuar për të mbajtur presidentin e vendit në rast të ndonjë sulmi bërthamor.

“Pjesa e ceremonisë që ishte menduar të mbahej në ajër nuk do të mbahet për shkak të kushteve të motit”, tha Peskov.

Edhe pa këtë pjesë, parada kryesore në Moskë ka nisur dhe presidenti Vladimir Putin, e akuzoi NATO-n se “ka ardhur në kufijtë e Rusisë” dhe se intervenimi në Ukrainë “ishte i pashmangshëm”.

Rusia feston 9 majin si Ditë të Fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.