Botë

Putini i kërkon falje Izraelit për deklaratën e Lavrovit se “Hitleri kishte gjak hebre”

Descriptive Text

Izraeli ka bërë të ditur se presidenti rus, Vladimir Putin ka kërkuar falje, pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se lideri nazist Adolf Hitler kishte "gjak hebre", raportoi BBC-ja të enjten.

Putini kërkoi falje në një telefonatë me kryeministrin izraelit, Naftali Bennett, tha zyra e Bennettit në një deklaratë.

Sergei Lavrov bëri komentet e tij që nxitën reagimet e Izraelit, në përpjekje për të justifikuar portretizimin e Ukrainës nga Rusia si "naziste", pavarësisht faktit se presidenti i saj, Volodymyr Zelensky është me origjine hebreje.

Lavrov foli për një televizion italian të dielën, disa ditë pasi Izraeli shënoi Ditën e Përkujtimit të Holokaustit - një nga rastet më solemne në kalendarin izraelit.

I pyetur se si Rusia mund të pretendojë se po lufton për të "denazifikuar" Ukrainën kur presidenti Volodymyr Zelensky është vetë hebre, Lavrov tha: "Unë mund të gaboj, por Hitleri gjithashtu kishte gjak hebre. Që Zelensky është hebre do të thotë absolutisht asgjë. Njerëzit e mençur hebrenj thonë se antisemitët më të flaktë janë zakonisht hebrenj”.

Komentet shkaktuan zemërim në Izrael.

Gjermania naziste vrau gjashtë milionë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Bennett tha menjëherë pas kësaj se "gënjeshtra të tilla kanë për qëllim të fajësojnë vetë hebrenjtë për krimet më të tmerrshme në histori dhe kështu të çlirojnë shtypësit e hebrenjve nga përgjegjësia e tyre".

Në deklaratën e së enjtes, zyra e Bennettit tha se ai kishte pranuar faljen e Putinit dhe "e falënderoi për sqarimin e qëndrimit të tij ndaj popullit hebre dhe kujtimit të Holokaustit".

Rusia ndërkohë në deklaratën e lëshuar pas bisedës telefonike mes Putinit e Bennettit, njoftoi se të dy diskutuan për Holokaustin, por nuk përmendi se Putini kërkoi falje.