Botë

NATO do të ofrojë siguri për Suedinë që nga momenti kur të aplikojë për anëtarësim

NATO-ja do ta garantojë sigurinë e Suedisë dhe do ta rrisë praninë e saj rreth kufijve të këtij vendi dhe në detin Baltik, që nga momenti kur ky shtet do të aplikojë për anëtarësim në aleancë, ka njoftuar të enjten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, raportoi Reuters.

Suedia e Finlanda po mendojnë të aplikojnë për anëtarësim së bashku, meqë ndihen të kërcënuara nga Rusia.

“Jam i bindur se do të gjejmë zgjidhje për nevojat e sigurisë që do të ketë Suedia në një periudhë tranzicioni. Që nga momenti që Suedia aplikon dhe NATO vlerëson se ky vend duhet të anëtarësohet, ka një detyrim shumë të fortë të aleancës që të jetë në gjendje të garantojë sigurinë e Suedisë”, ka thënë Stoltenberg.

Aplikimi i Suedisë dhe Finlandës që ndan mbi 1300 km kufi me Rusinë, mund të bëhet më 12 maj, por ende nuk është konfirmuar.

Nga aplikimi e deri te anëtarësimi, procesi mund të zgjasë deri në një vit, pasi të gjithë anëtarët veç e veç duhet të miratojnë zgjerimin.

Moska ka paralajmëruar Suedinë dhe Finlandën për pasoja të rënda në rast se marrin një hap të tillë.