Botë

Burra e djem në mesin e të përdhunuarve nga ushtarët rusë në Ukrainë

Burra e djem në mesin e të përdhunuarve nga ushtarët rusë në Ukrainë

Burra dhe fëmijë janë në mesin e viktimave që dyshohet se janë përdhunuar nga ushtarët rusë në Ukrainë, ku dhjetëra raste të dhunës seksuale nga forcat pushtuese tashmë janë nën hetim, kanë thënë zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe ukrainase të martën, raportoi The Guardian.

“Kam pranuar raportime, ende të paverifikuara... për raste të dhunës seksuale kundër burrave dhe djemve në Ukrainë”, ka thënë Pramila Patten, përfaqësuese speciale e OKB-së për dhunën seksuale gjatë luftës.

Patten shtoi se mund të jetë veçanërisht e vështirë për të mbijetuarit meshkuj të përdhunimit që ta raportojnë krimin. “Është e vështirë për gratë dhe vajzat që ta raportojnë për shkak të shoqërisë mes arsyeve të tjera, por shpesh është më e vështirë për burrat e djemtë që ta raportojnë... ne duhet ta krijojmë atë ambient të sigurt për të gjitha viktimat që të raportojnë raste të dhunës seksuale”.

Ajo paralajmëroi se dhjetëra rastet e dhunës seksuale që janë deri tani nën hetim “përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut”, teksa nxiti të mbijetuarit që të dalin të flasin dhe që komuniteti ndërkombëtar t’i gjejë kryesit e krimit dhe t’i mbajë përgjegjës.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, tha të martën se zyra e saj ka mbledhur raportime të dhunës seksuale nga trupat ruse kundër burrave dhe grave të të gjitha moshave, nga fëmijët deri te të moshuarit.

Venediktova tha se Moska e ka përdorur përdhunimin si strategji të qëllimshme.

“Kjo sigurisht bëhet për ta frikësuar shoqërinë civile... të bëjë gjithçka që ta detyrojë Ukrainën të kapitullojë”.

Ka pasur pak raportime publike të dhunës seksuale në Ukrainë. Disa viktima kanë lënë vendin, dhe të tjerë kanë qëndruar atje të frikësuar për të folur për eksperiencën, tha ajo.

Përdhunimet në grup, sulmet me armën në kokë dhe përdhunimet e kryera në sy të fëmijëve janë në mesin e dëshmive të tmerrshme që kanë mbledhur nga viktimat dhe familjes e tyre.

Komisionerja për të drejtat e njeriut, Lyudmila Denisova, zyrtarisht ka dokumentuar rastet e 25 grave të cilat ishin mbajtur në një bodrum dhe ishin përdhunuar sistematikisht në Bucha.