Botë

Indiani rrëfen tmerrin gjatë fluturimit ku u lënduan 17 persona

Indiani rrëfen tmerrin gjatë fluturimit ku u lënduan 17 persona

Së paku 17 persona janë lënduar në një fluturim të “SpiceJet” në Indi, pasi aeroplani është përballur me një numër të madh të turbulencave para se të ateronte të dielën në mbrëmje, ka shkruar BBC-ja të martën.

Boeing 737 i cili po bartte rreth 200 pasagjerë bashkë edhe me stafin, po udhëtonte nga Mumbai për në Durgapir.

Amit Baul, i cili ishte në aeroplan ka rrëfyer për ngjarjen.

Ai ka thënë se ishte mbrëmje e ngrohtë në Mumbai kur u nis për një fluturim dy-orësh për në qytetin lindor të Durgapurit, ku jeton dhe punon.

Baul rrëfeu se nuk kishte asgjë të pazakontë gjatë fluturimit dhe avioni ishte i mbushur plot.

Sipas tij, 35 minuta para se aeroplani të ateronte ishin ndier disa turbulenca, por fillimisht ishte dukur se nuk ka asgjë të pazakontë. Por, thotë ai, pas kësaj gjërat nisen të përkeqësohen, duke i përshkruar ato momente si “më të këqijat në jetë”, shkruan BBC-ja.

“Nuk e di nëse fluturuam gjatë një stuhie, por avioni filloi të kërcente poshtë e lartë. Boeing 737 po lëvizte si një top gome. Shtrëngova rripin e sigurimit dhe u mbajta fort pas dorëzës së karrigës. Pashë pasagjerë të cilët ndoshta kishin harruar t’i lidhnin rripat, duke kërcyer poshtë e lartë nga karriget e tyre e duke i goditur dollapët e bagazheve. Ata po lëndoheshin rëndë. Para meje ishte një grua me një vajzë 11-vjeçare. Derisa u hodhën nga vendet e tyre për shkak të lëvizjeve, gruaja ra te këmbët e mija, dhe ishte aq e lënduar sa që qëndroi në dysheme, duke u kapur nga këmbët e karriges”, tha ai.

Ai shpjegon se pasagjerët po qanin e bërtisnin, disa kishin filluar të luteshin. Thotë se kishte provuar të shikonte nga dritarja, por ishte errësirë.

Baul thotë se gjithandej kishte gjak.

Ai thotë se kur aeroplani ateroi, i ishte dukur se është kthyer nga vdekja.

Sipas tij, pasi aeroplani preku tokën, ambulancës iu desh një orë që të mbërrinte në vendin e ngjarjes për t’u kujdesur për të lënduarit.