Botë

Polonia bën thirrje për sanksione të menjëhershme ndaj energjisë ruse

Ministrja i Klimës së Polonisë ka bërë thirrje për sanksione të menjëhershme të gazit dhe naftës ruse.

Anna Moskwa ka folur në takimin urgjent të ministrave të energjisë të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Agjenda e sotme kishte të bënte me rezervat dhe furnizimet me gaz, pas vendimit të kompanisë Gazprom që të ndalojë furnizimin për Poloninë dhe Bullgarinë, shkruan BBC.

Por, Moskwa ka thënë se sanksionet e reja janë të domosdoshme dhe urgjente.

“Ne do të përkrahim sanksionet e tërësishme për të gjitha lëndët djegëse fosile ruse. Ne tashmë kemi qymyr. Tani është koha për naftën dhe hapi i dytë është për gazin. Opsioni më i mirë është t’i marrim të gjitha së bashku”, ka thënë ajo.

Komisioni Evropian ka mbajtur bisedime me shtetet anëtare për një embargo të mundshme të naftës.