Zyrtarë spanjollë raportuan se telefonat celularë të kryeministrit Pedro Sanchez dhe ministres së Mbrojtjes Margarita Robles vitin e kaluar ishin të infektuar me softuerin spiun ‘Pegasus’, i disponueshëm vetëm për agjencitë qeveritare, raportoi AP-ja të hënën.
"Telefoni celular i Sanchez ishte dy herë objektiv i spiunazhit në maj 2021 dhe celulari i ministrit Robles në qershor të po këtij viti", tha shefi i Zyrës së kryeministrit Sanchez, Felix Bolanos në një konferencë për shtyp.
Ai tha se spiunazhi kishte rezultuar në mbledhjen e një sasie të konsiderueshme të dhënash dhe se raportet që detajonin hakerimin i ishin përcjellë gjykatës kombëtare spanjolle për hetime të mëtejshme.
"Ne nuk kemi asnjë dyshim se kjo është një ndërhyrje e paligjshme, e paautorizuar. Ajo nuk vjen nga shteti ynë dhe nuk ka pasur autoritetin e gjykatës", tha Bolanos.
Qeveria spanjolle e udhëhequr nga socialistët është nën presion për të shpjeguar pse telefonat celularë të dhjetëra njerëzve të lidhur me lëvizjen separatiste në rajonin e Katalonjës u infektuan me ‘Pegasus’ në periudhën 2017 - 2020, shkruan AP-ja.
Të paktën 65 persona janë të përfshirë në historinë e spiunazhit, duke përfshirë zyrtarë të zgjedhur, aktivistë dhe avokatë. Softueri i spiunazhit infiltrohet në heshtje në telefona ose pajisje të tjera për të mbledhur të dhëna dhe për të spiunuar potencialisht pronarët e tyre.
Qeveria rajonale katalonjase ka akuzuar Qendrën Kombëtare të Inteligjencës të Spanjës (CNI) për spiunim dhe tha se marrëdhëniet me autoritetet kombëtare janë "në pritje" derisa të jepen shpjegimet e plota dhe përgjegjësit të ndëshkohen.
-
2 maj 2022 15:40
-
Shpërndaje në: