Botë

Putini po i përgatit rusët për nisjen e luftës kundër NATO-s

Descriptive Text

Ekspertët vlerësojnë se kërcënimet e fundit të bëra nga zyrtarët rusë në lidhje me hakmarrjen ndaj vendeve që ndërhyjnë në luftën që po zhvillohet në Ukrainë, mund t’i shërbejnë një qëllimi të dyfishtë për të paralajmëruar nga njëra anë fuqitë perëndimore, e nga ana tjetër për të përgatitur qytetarët rusë dhe fituar mbështetjen e tyre nëse shpërthen një konflikt në shkallë të plotë me NATO-n.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi gjatë një fjalimi të mbajtur të mërkurën e javës së kaluar se çdo vend që “krijon një kërcënim strategjik për Rusinë” gjatë luftës së saj në Ukrainë, duhet të presë “sulme hakmarrëse” nga ana e ushtrisë ruse që do të ishin “të shpejta si rrufeja”.

Disa ditë më parë, ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha gjatë një intervistë se “NATO është duke shkuar drejt një lufte kundër Rusisë, përmes ushtrisë ukrainase të cilën po e armatos më maksimum”.

Ekspertë të ndryshëm që kanë folur për “Newsweek” kohët e fundit, janë shprehur se zyrtarët rusë e kanë shtuar retorikën e tyre kërcënuese, si një mënyrë për të nxitur frikën tek aleatët e NATO-s. Ndërkaq, disa ekspertë mendojnë se kjo është një përpjekje e Kremlinit për të fituar zemrat dhe mendjet e publikut rus.

“Gjatë gjithë kohës, propaganda e brendshme e regjimit ka theksuar se Rusia nuk është në luftë me Ukrainën, por me NATO-n dhe Perëndimin”, deklaroi për Newsweek, Yuri Zhukov, profesor i asociuar në Universitetin e Miçiganit.

“Sipas kësaj narrative pas çdo suksesi ushtarak ukrainas, ekziston një oficer i NATO-s që i thotë ukrainasit se ku, kur dhe kë duhet të qëllojnë trupat ukrainase. Ky kuadër e bën më të lehtë shpjegimin e humbjeve ushtarake për audiencën vendase”, shtoi ai.

Po ashtu Zhukov thotë se kjo qasje e Moskës, e ndihmon atë të krijojë mbështetje politike për një mobilizim të mundshëm të plotë në rast të shpalljes së gjendjes së luftë në Rusi, gjë të cilën regjimi deri tani ka hezituar ta bëjë.

“Kjo krijon gjithashtu presion politik për të goditur objektivat e NATO-s, duke filluar që me linjat e furnizimit”, thotë Zhukov.

“Unë mendoj se nga perspektiva e Moskës, rusët duan të ndërtojnë një narrativë, sipas së cilës gjithçka nis nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara”, thotë Jonathan Katz, drejtor i Nimës për Demokraci dhe bashkëpunëtor në think-tankun “German Marshall Fund” me seli në Shtetet e Bashkuara.

Katz mendon se Putini “po e shfrytëzon lakminë e NATO-s, të Shteteve të Bashkuara, për të justifikuar veprimet që ai po ndërmerr ndaj popullatës së brendshme ruse”. Ndërkohë britanikja “Financial Times” vuri në dukje se kur Putin përmendi gjatë fjalimit të tij të së mërkurës se Rusia ka “mjetet që i duhen për sulme hakmarrëse, të ngjashme me askënd”. Ai iu referua një regate balistike ndërkontinentale të aftë të transportojë armë bërthamore, të cilën Rusia e ka testuar së fundmi.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve Reuters raportoi se edhe Lavrov aludoi për rrezikun e luftës bërthamore gjatë bisedës që zhvilloi të hënën e kaluar me gazetarët e mediave shtetërore ruse. Presidenti amerikan Joe Biden u ndal të enjten tek kërcënime të tilla që vijnë nga zyrtarët rusë, duke e quajtur retorikën një shenjë të “dëshpërimit që Rusia po ndjen për dështimin e saj të tmerrshëm”.

Megjithatë John Kirby, sekretari për mediat në Departamentin e Mbrojtjes, tha të premten se këto kërcënime duhet të merren seriozisht, ndërsa shtoi se Putin duhet të përmbahet nga deklaratat nxitëse. “Është krejtësisht e papërgjegjshme që një fuqi bërthamore të flasë në këtë mënyrë mbi përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore të çdo lloji, të çdo madhësie, dhe të çfarëdolloj rrezeje. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të ndalë përshkallëzimin e retorikës në lidhje me armët bërthamore”, deklaroi Kirby gjatë një konference për shtyp.

Zhukov mendon se nëse vendet perëndimore i shpërfillin kërcënimet e Putinit, udhëheqësi rus mund të ndihet nën presion për të ndërmarrë veprime më vendimtare.

“Në Evropë dhe SHBA ekziston përshtypja e përgjithshme se kërcënimet e Rusisë për hakmarrje janë bllofe. Unë mendoj se ka më shumë gjasa që Rusia të ndihet në fund e detyruar të ndërmarrë disa veprime kinetike kundër vendeve të NATO-s, vetëm për t’i bërë të duken më të besueshme kërcënimet e saj për hakmarrje”, thekson ai.

Të enjten, raketat ruse goditën Kievin vetëm pak momente pasi Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres kishte përfunduan një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në kryeqytetin e Ukrainës.

Katz thotë se ai sulm, që ndodhi vetëm dy ditë pasi Guterres u takua me Vladimir Putin në Moskë, ishte menduar si një mesazh i qartë i Rusisë për Perëndimin.

“Sulmi me raketa në Kiev ka qenë një mesazh për këdo, se Rusia është e gatshme të ndërmarrë çdo lloj hapi, përfshirë sulmet me raketa, për të penguar partnerët e Ukrainës nga angazhimi në këtë konflikt dhe ndihma ndaj Ukrainës”, thotë Katz.

Newsweek kontaktoi edhe Ministrinë e Jashtme ruse për ndonjë koment, për pa rezultat. /Newsweek-ABCNews