Botë

Von der Leyen: Polonia e Bullgaria po marrin gaz nga fqinjët brenda BE-së

Polonia dhe Bullgaria janë duke u furnizuar me gaz nga fqinjët e tyre në Bashkimin Evropian, ka thënë të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ndërprerjen e furnizimit me gaz për këto dy vende nga gjiganti rus i energjisë, Gazprom, Von der Leyen e quajti provokim të Kremlinit dhe akuzoi Moskën për përdorimin e gazit si mjet shantazhi.

"Kjo është diçka për të cilën Komisioni Evropian është përgatitur, në koordinim të ngushtë me shtetet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë. Përgjigja jonë do të jetë e menjëhershme, e bashkuar dhe e koordinuar. Ne do të sigurojmë që vendimi i Gazpromit të ketë ndikimin më të vogël të mundshëm te konsumatorët evropianë. Polonia dhe Bullgaria na informuan për situatën. Si Polonia ashtu edhe Bullgaria tani po marrin gaz nga fqinjët e tyre të BE-së”, ka thënë Von der Leyen.

Ajo ka shtuar se është angazhuar për sigurimin e një plani afatmesëm për furnizim të mjaftueshëm me gaz.

Në një konferencë në Sofje, ministri bullgar i energjisë, Aleksandar Nikolov ka thënë se konsumi i gazit natyror në Bullgari është i garantuar për të paktën një muaj dhe për momentin nuk ka nevojë të kufizohet konsumi.