Botë

SHBA-ja u thotë aleatëve të “lëvizin tokën dhe qiellin” për t’i siguruar armë Ukrainës

Descriptive Text

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nxitur shtetet aleatët që “të lëvizin tokën dhe qiellin” dhe ta mbajnë të furnizuar me armë Kievin, derisa forcat ruse vazhdojnë të sulmojnë vazhdimisht në lindje dhe jug të Ukrainës.

Për të dytën ditë me radhë, bombardimet dhe gjuajtjet me raketa në regjionin separatist të Trans-Dniester në kufi me Moldovinë, kanë shkatërruar antenat e dy radiove të fuqishme afër kufirit me Ukrainën.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet, por Ukraina e ka fajësuar Rusinë.

Kjo ka rritur frikën ndërkombëtare që lufta mund të fillojë edhe në kufi të shteteve tjera.

Mund të thuhet se edhe Ukraina ka nisur të sulmojë Rusinë, pasi raportohet për të shtëna dhe bombardime në Belgorod, brenda Rusisë, shkruan Sky News.

Në Gjermani, sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin ka thirrur mbledhje me 40 shtete në bazën ajrore amerikane në Ramstein.

Sekretarja e jashtme e Britanisë, Liz Truss, në një fjalim që do ta mbajë sot (e mërkure), po përgatitet të thotë se Perëndimi duhet të sigurojë mbrojtjen e Ukrainës dhe të bëjë thirrje për aleatët perëndimorë që të rritin mbrojtjen duke dërguar armë, tanke dhe avionë luftarakë në Kiev.

Në fjalimin e saj, Truss do të deklarojë: “Ne nuk mund të jemi të vetëkënaqur dhe fati i Ukrainës mbetet në ekuilibër. Dhe të jemi të qartë, nëse Putini ia del, do të ketë mjerim në gjithë Evropën dhe pasoja të tmerrshme në gjithë globin. Ne nuk do të ndiheshim më kurrë të sigurt”.

Derisa në Chernobyl, drejtori gjeneral i Agjencisë së energjisë atomike, ka thënë se ndonjë aksident do të kishte mundur të ndodhte kur trupat ruse kanë okupuar këtë termocentral.