Botë

Garë online e nxënësve vushtrrias në 4 lëndë

Për herë të parë në komunën e Vushtrrisë, të martën kanë nisur garat e diturisë në platformën online për nxënësit e klasave të nënta. Nxënësit do të garojnë në katër lëndë, përkatësisht në gjuhën shqipe, histori, biologji dhe kimi.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, duke e konsideruar si fillim të mbarë mbajtjen e këtyre garave u shpreh se do t’ju qëndrojë pranë nxënësve me qëllim të rritjes së cilësisë në arsim.

“Sot është një ditë e mbarë, është një fillim i mirë që më rikujton organizimin e garave të diturisë atëherë edhe kur isha mësimdhënës, andaj po ndihem shumë mirë kur po i shoh të përgatitur nxënësit e klasave të nënta që do të garojnë pas shume garave që i kanë zhvilluar në shkollat e tyre, këto janë ekipe që kanë ardhur për të përmbyllur këtë cikël të garave. Garat e diturisë ndikojnë drejtpërdrejtë në konkurrencë dhe ngritje të cilësisë ne së bashku me mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave do të jemi pranë jush duke iu mbështetur që të organizojmë gara edhe në fusha të tjera”, u shpreh Idrizi.

Kreu i Vushtrrisë, po ashtu shprehu përkushtimin e tij që garat e diturisë të zhvillohen edhe në fushat e tjera e për nxënës të klasave të ndryshme.

Mësimdhënësi i gjuhës shqipe, Mentor Hajrizi, i cili është edhe anëtar i komisionit vlerësues, tha se përmes këtyre garave po kontribuojnë në rritjen të cilësisë në arsim. /Ksp