Botë

Ukraina thotë se janë gjetur trupa me shenja torturash afër Kievit

ukraina, varre, trupa

Trupat e nëntë civilëve, disa me shenja torture, janë gjetur në qytetin Borodyanka në periferi të kryeqytetit ukrainas, Kiev, tha një zyrtar i lartë i policisë, raportoi REL të mërkurën.

"Këta njerëz u vranë nga pushtuesit dhe disa kanë shenja torture. Dua të theksoj se ishin civilë. Ushtria ruse me vetëdije qëlloi civilë që nuk bënë asnjë rezistencë", tha kreu i Policisë në rajonin e Kievit, Andriy Niebytov.

Me tërheqjen e forcave ruse nga qytetet dhe fshatrat përreth Kievit janë zbuluar civilët e vdekur, duke filluar me zbulimet në Bucha, që kanë bërë që zyrtarët ukrainas të akuzojnë Rusinë për gjenocid.

Niebytov tha se policia kishte zbuluar dy varre rreth Borodyankas.

Në një varr u zbuluan, tre persona - duke përfshirë një vajzë 15 vjeçe - dhe në një varr të dytë u gjetën trupat e gjashtë personave, tha ai.

Të gjithë ata ishin vendas, shtoi ai.

Autoritetet në Kiev thonë se qindra trupa civilësh të vrarë janë gjetur në zonat e kontrolluara nga forcat ruse rreth kryeqytetit që nga nisja e pushtimit më 24 shkurt.