Me përfundimin e zgjedhjeve nacionale e parlamentare në Serbi, ku Aleksandar Vuçiqi dhe partia e tij u shpallën fituese, presioni ndërkombëtar mbi këtë vend për t’i vënë sanksione Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë, është rritur.
Vuçiqi ka folur në disa raste për presionin e shteteve perëndimore, por deri më tash ka luajtur lojën “ftohtë – nxehtë”.
Serbia ka votuar për përjashtimin e Rusisë nga Këshillit i OKB-së për të Drejtat e njeriut, por ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.
E me këtë qëndrim nuk është e kënaqur Rusia, ka shkruar të martën gazeta rusë “Komersant”, përcjell ajo serbe “Danas”.
Në artikullin me titull “Serbia po sulmohet nga të gjitha anët – edhe Perëndimi edhe Rusia janë të pakënaqura me Beogradin”, gazeta vlerëson se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të bëjë disa hapa drejt Perëndimit, por vështirë se do t’ia kthejë shpinën Rusisë.
Sipas gazetës ruse, presioni ndaj Beogradit po udhëhiqet nga Gjermania, e cila konsiderohet si një partner kyç i Serbisë në Bashkimit Evropian.
“Që nga fillimi i krizës aktuale në Ukrainë, Perëndimi ka vlerësuar se është anormale që Serbia të mbetet e vetmja në mesin e anëtarëve dhe kandidatëve për në BE që nuk u është bashkuar sanksioneve. Beogradi mori një ‘afat shtesë’ deri në zgjedhjet e 3 prillit”, shkruan “Komersant”.
Gazeta ruse tutje shkruan se është “një moment i ri dhe shumë i pakëndshëm për Vuçiqin, i cili po tenton të ulet në dy karrige”.
”Moska ka shprehur pakënaqësi për qëndrimin e tij”, shkruan kjo gazetë, duke iu referuar zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, që qortoi Serbinë pas votimit kundër Rusisë në OKB.
Zakharova tha se Moska zyrtare nuk i kupton përfaqësuesit e vendeve që thonë se bëjnë politikë të pavarur e të balancuar, e në anën tjetër thonë se janë nën presion të paparë dhe se për këtë arsye bëjnë kompromis.
“Ne nuk e kuptojmë këtë. Ne e dimë se ka presion. Por, nëse flasim për ata që pretendojnë se janë miqtë tanë, është e pamundur të kuptohet”, citoi “Komersant” Zakharovan.
Vuçiqi do të jetë para një sprove të re me rastin e formimit të Qeverisë. Nëse nuk do të përfshijë politikanë prorus, si Ivica Daçiq, atëherë do të shihet si një goditje e radhës në marrëdhëniet me Rusinë.
-
19 prill 2022 13:29
-
Shpërndaje në: