Botë

Ukraina thotë se ka filluar faza e dytë e luftës

22:26 - Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se beteja për Donbasin ka filluar.

Komentet e tij kanë ardhur pas paralajmërimeve nga zyrtarët e tjerë të lartë që Rusa ka filluar sulmin e shumëpritur në rajonin lindor të hënën, shkruan BBC.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


22:15 - Ukraina thotë se ka filluar faza e dytë e luftës

“Faza e dytë e luftës ka nisur”, ka thënë kreu i stafit të kabinetit të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Deklaratat e Andriy Yermakut janë në përputhje me atë të krerëve të sigurisë së Ukrainës se Rusia ka lansuar ofensivën e re në lindje këtë të hënë, raporton BBC.

Yermak në postimin e tij në Telegram ka shkruar: “Besoni në ushtrinë tuaj, është shumë e fortë”.


21:09 - Ukrainasve të marrë nga Rusia u bëhet thirrje të shpërngulen në Estoni

Ukraina ka thënë se qytetarët që janë marrë pa vullnetin e tyre nga Rusia duhet të mundohen që të shpërngulen në qytetin fqinj të Estonisë.

Janë bërë marrëveshje që ata të marrin ndihmë në kufirin e Estonisë në qytetin e Narvas, ka thënë Avokati i Popullit të Ukrainës, shkruan BBC.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


20:15 - Ukraina kthen pyetësorin e plotësuar për anëtarësim në BE

Ambasadori i BE-së në Ukrainë thotë se ka pranuar pyetësorin e plotësuar nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, raporton BBC.

Ukraina është duke synuar të bëhet anëtare e re e Bashkimit Evropian.

Matti Maasikas ka thënë se forma është kthyer vetëm 10 ditë pasi që dokumenti i ishte ofruar Kievit.


20:14 - BE-ja dënon granatimet e Rusisë ndaj civilëve në Ukrainë

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell deklaroi sot se BE-ja dënon bombardimet pa dallim dhe të paligjshëm të Rusisë ndaj civilëve në Ukrainë.

“BE dënon vazhdimin e bombardimeve pa dallim dhe të paligjshëm të civilëve dhe infrastrukturës civile të kryera nga forcat e armatosura ruse... Nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës”, tha Borrell pas sulmit në Lviv.


18:52 - Putini nderon brigadën që Ukraina e akuzon për krime lufte në Bucha

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 18 prill ka nderuar një brigadë, që Ukraina e akuzon për krime lufte dhe vrasje masive në qytetin e Bucha, që gjendet pranë Kievit.

Njoftimi për ndarjen e titullit ndaj kësaj brigade vjen në ditën e 54-të të pushtimit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, teksa vlerësohet se mijëra persona javë vrarë dhe 12 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


18:03 - Ukraina pretendon se Rusia ka kompletuar rigrupimin e trupave për ta sulmuar nga lindja

Forcat ruse kanë kompletuar rigrupimin e trupave për të lansuar një ofensivë në lindje të Ukrainës, është thënë të hënën nga Ministria e Brendshme e Ukrainës, raporton CNN.

“Forcimi i grupeve ofensive po ndodh me transferimin e njësiteve shtesë ruse. Luftimet më intensive po ndodhin në Slobozhansky dhe në rajonin e Donetzkut”, ka thënë koloneli Oleksandr Motuzyanyk. “Rusia po përgatitet për një ofensivë në lindje të Ukrainës për të marrë nën kontroll të plotë territorin e Donetzkut dhe Luhanskut dhe për të siguruar stabilitetin e korridorit tokësor me Krimenë”.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


17:33 - Ukraina raporton për bombardime të rënda në lindje, konfirmon tërheqjen nga Kreminna

Zyrtarët ukrainas në rajonet e Kharkivit dhe Luhanskut kanë raportuar për bombardime të rënda nga forcat ruse të hënën, ndërsa kanë pranuar se është dashur të tërhiqen nga qyteti Kreminna, raporton CNN.

Kryetari i Kharkivit, Ihor Terekhov, ka thënë se qyteti është duke u bombarduar vazhdimisht. Ai ka akuzuar Rusinë se po bombardon komplekse banesore, ku ka civilë e po ashtu edhe spitalet.

“Ka të lënduar e të vdekur”, tha Terekhov.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


16:57- Dy të vdekur pas granatimeve ruse në Kharkiv

Dy persona kanë vdekur pas granatimeve ruse të hënën në qarkun Osnovyansky, në qytetin ukrainas Kharkiv, raporton BBC.

Zëdhënësi i prokurorisë së Kharkivit, Dmitry Chubenko, ka thënë se është hapur rast penal pasi një burrë dhe një grua vdiqën, duke shtuar se bomba ruse ka rënë në një fushë të lojave në afërsi të një kompleksi banimi.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


16:37 - Ukraina kërkon nga Rusia hapjen e korridoreve të evakuimit nga Mariupoli

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, i ka bërë apel të drejtpërdrejtë lidershipit të Rusisë që t’i hapë korridoret e evakuimit nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, raporton CNN.

Në një deklaratë të publikuar në Telegram në gjuhën ruse, Vereshchuk – që është edhe ministre e Ukrainës për riintegrim të territoreve të okupuara përkohësisht – i ka bërë apel ushtrisë dhe lidershipit të Federatës Ruse në lidhje me situatën në Mariupol.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


16:23 - Shtatë të vdekur nga bombardimet në Lviv

Është raportuar të hënën për shpërthim në Lviv, ku refugjatët ukrainas kanë udhëtuar për të ikur në kufi me Poloni.

Kryetari i qytetit, Andriy Sadovyi, ka thënë se shtatë persona janë vrarë dhe 11 janë lënduar, përfshirë edhe një fëmijë, shkruan Sky News.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


15:55 - Putini i quan të dështuara sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë

Presidenti rus, Vladimir Putin, i quajti të dështuara sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë, duke shtuar se nuk ia dolën ta dëmtonin ekonomikisht.

Ai deklaroi të hënën se Perëndimi priste që ta “shqetësonte” situatën financiaro-ekonomike, të provokonte panik në tregje, kolaps në sistemin bankar dhe mungesa në dyqane, shkroi “Washingtonpost”. Lajmi i plotë KËTU.


15:11 - Rusia akuzon Ukrainën për ndryshim qëndrimesh

Rusia e ka akuzuar Ukrainën për ndryshim të qëndrimeve rreth çështjeve që tashmë kanë rënë dakord, raportoi BBC-ja të hënën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se kontakti mes dy vendeve po vazhdon në nivel ekspertësh brenda grupeve negociatore.

“Për fat të keq, pala ukrainase nuk është konsistente për sa i përket pikave për të cilat është rënë dakord”, deklaroi ai, derisa shtoi se trendi i procesit të negociatave “lë shumë për të dëshiruar”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, deklaroi të dielën se Mariupoli është vijë e kuqe sa i takon negociatave mes dyja vendeve.

“Nuk kemi pasur kontakte me diplomatë rusë javëve të fundit në nivel të ministrive të jashtme. Po vazhdojnë konsultimet në nivel ekspertësh, por nuk po zhvillohen bisedime të nivelit të lartë”, deklaroi ai.


12:44 - Shkon në shtatë numri i të vrarëve nga sulmet në Lviv

Ka shkuar në shtatë numri i të vdekurve nga sulmi me raketa në Lviv të Ukrainës, njofton BBC-ja të hënën.

Kreu rajonal, Maksym Kozytsky, deklaroi se janë sulmuar me katër raketa, tri kanë rënë në magazina dhe një tjetër një garazh.

Udhëheqësi i Lvivit, Andriy Sadovyi, deklaroi se forcat ruse po duan ta shkatërrojnë kombin ukrainas, e ndaj tyre opsion i vetëm është lufta.

“Ne kemi vetëm një opsion: të luftojmë”.

Ai shtoi se Ukraina tani po e mbron tërë botën, duke e përshkruar luftën si përplasje mes demokracisë dhe totalitarizmit.


11:55 - Katër civilë qëllohen për vdekje derisa po largoheshin nga Luhansku

Katër civilë janë qëlluar për vdekje në rajonin e Luhanskut në Ukrainë, gjatë një sulmi rus, ka thënë guvernatori rajonal, Serhiy Gaidai të hënën përmes një postimi në Telegram.

Sipas Gaidait, personat u qëlluan derisa po përpiqeshin të iknin me veturë nga qyteti i Kreminës në këtë rajon, raportoi Reuters.

Lajmi i plotë KËTU.


11:36 - Katër bombardues bërthamorë rusë fluturojnë skaj Ukrainës

Katër avionë rusë “Tu-95s” që bartin edhe bomba bërthamore, janë parë të fluturojnë në Rusinë perëndimore, skaj kufirit me Ukrainën, ka shkruar gazeta britanike “Metro” të hënën.

Ngritja e tyre në qiell vjen në kohën kur luftanija kryesore ruse “Moskva” është fundosur në Detin e Zi dhe kur luftëtarët ukrainas po refuzojnë të dorëzohen në Marioupol, qytetin port që lidh Krimenë e aneksuar nga Rusia dhe Donbasin, rajonin separatist rus.

Pamjet e avionëve rusë “Tu-95s”, janë regjistruar në rajonin Kaluga, nga ku mund të goditen shënjestrat në Ukrainë.

Për më shumë kliko KËTU


10:38 - Të paktën 6 të vdekur nga sulmet në Lviv, 60 km larg Polonisë

Të paktën 6 persona mbetën të vdekur nga sulmet ajrore ruse në Lviv të Ukrainës, derisa 11 të tjerë u lënduan. Siç raportoi CNN-i të hënën, disa objekte janë dëmtuar rëndë, derisa kryebashkiaku, Andriy Sadovyi, tha se është dëmtuar edhe një hotel ku po qëndronin ukrainasit e zhvendosur.

Lviv në vijë kufitare është 60 kilometra larg Polonisë, vend ku janë strehuar mbi 1 milion ukrainas.

Aktualisht, luftime të ashpra po zhvillohen edhe në Luhansk.

“Rusët u futën në Kremina (qytet në Luhansk). Filluan përleshjet nëpër rrugë. Rusët kanë hyrë me sasi të madh mjetesh”, deklaroi Serhii Haidai, kreu i administratës ushtarake rajonale.

Ai shtoi se forcat ruse po bëjnë përpjekje të thyejnë rezistencën ukrainase në zonat përreth Luhanskut.


9:04 - Macroni hezitoi të përdorë termin gjenocid, Zelensky e fton në Ukrainë të bindet

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka ftuar homologun e tij francez, Emmanuel Macron të vizitojë Ukrainën për të parë vetë atë që e kanë shkaktuar forcat ruse, e që ai e quan gjenocid.

Kjo thirrje është bërë pak ditë pasi Macroni hezitoi ta përdorë fjalën “gjenocid”, duke deklaruar se nuk është i sigurt nëse kjo retorikë i shërben situatës së krijuar në Ukrainë.

“E ftova të vijë kur të ketë mundësi. Do të vijë të shohë dhe jam i sigurt se do ta kuptojë gjenocidin”, ka thënë Zelensky për CNN të hënën. 

Lajmi i plotë KËTU.


8:15 - Dita e 54-t e luftës nis me disa shpërthime në Lviv

Në ditën e 54-t të luftimeve në Ukrainë, të paktën katër shpërthime u dëgjuan në perëndim të Ukrainës, qytetin Lviv, raporton BBC-ja të hënën.

Alarmi i sulmit ajror ra 45 minuta para shpërthimit, derisa shumë njerëz kanë dalë në rrugë.

Për sulmin ka folur udhëheqësi i Lvivit, qytet afër Polonisë, Maksym Kozytskyi, që iu bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimore.

Ndërkohë, banorëve të Luhanskut u është bërë thirrje që të evakuohen menjëherë, pasi “java e ardhshme mund të jetë e rëndë”.

“Kjo mund të jetë hera e fundit që ne kemi ende shans për t’iu shpëtuar”, tha kreu i administratës rajonale, Sergei Gaidai.

Rusia ka koncentruar forcat e saj në Luhansk e Donetsk, që bashkë përbëjnë rajonin e Donbasit.