Botë

Zelensky thotë se e do paqen, por nuk do të ndalet së luftuari

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se do të vazhdojë të bëjë presion për paqe, ani pse sulmet ruse ndaj civilëve kanë befasuar botën.

Në një intervistë për “Associated Press” vetëm një ditë pasi së paku 52 persona u vranë nga bombardimi i stacionit të trenave në Kramatorsk afër Kievit, Zelenskyy ka vazhduar të kërkojë armatim nga shtetet perëndimore.

Me bluzën ngjyrë ulliri që tregon transformimin e tij në lider lufte, ai duket i lodhur, por e mban dëshira për t’i dhënë fund luftës.

“Njerëzit do të pranojnë paqen në çfarëdo rasti. Ata duan që lufta të marrë fund nën kushtet tona. Kushtin e pavarësisë. Mirëpo, jam i sigurt se ka njerëz që kanë humbur diçka – fëmijët – dhe nuk jam i sigurt se do të jenë të kënaqur me çfarëdo paqe që ofrohet me kushte të tjera. Sepse është plagë e madhe dhe tragjedi humbja e më të dashurve”.

Është shprehur i bindur se ukrainasit do të luftojnë deri në fund.

“Nëse flasim pa emocione, ani pse është e vështirë, duhet ta kuptojmë se çdo luftë duhet të përfundojë me paqe ose do të ketë fund me miliona viktima. Por edhe atëherë, nëse ka miliona viktima, paqja do të vijë. Duhet të luftojmë, por duhet të luftojmë për jetën. Nuk mund të luftojmë për dheun nëse nuk mbesin më njerëz. Prandaj, është e rëndësishme që lufta të marrë fund.

Thotë se Mariupoli është epiqendra e luftës së Ukrainës.

“Mariupoli është zemra e kësaj lufte. Ajo ende po rrah. Po luftojmë dhe jemi të fuqishëm. Nëse ajo ndalet ne do të jemi më të dobët. Mbrojtësit janë njerëz të thjeshtë që kanë dobësuar forcat e mëdha të armikut”.

Tregon se në cilin rast nuk do të kishte luftë, por edhe nëse do të kishte Ukraina do të ishte më e fuqishme.

“Nëse do të ishim në NATO kjo luftë nuk do të ndodhte. Ose do të ishte pamje krejt tjetër. Ne do të kishim ndihmën e fqinjëve tanë dhe do të mund të luftonim së bashku. Mirëpo, ndoshta kjo luftë nuk do të ndodhte”.

Zelenskyy pyetet nga “Associated Press” nëse armët e shteteve perëndimore janë të mjaftueshme për këtë luftë.

“Krejt këto armë dhe pajisje janë me vonesë. Sepse kur flasim për Mariupolin, atje kemi humbur mijëra njerëz. Natyrisht se nuk janë të mjaftueshme. Dhe e kam parë nga disa shtete dhe liderë që kanë ofruar 100 për qind përkrahje. E shoh këtë. Mirëpo, disa liderë evropianë kanë ndryshuar qëndrim dhe mund të shihni çmimin e këtyre ndryshimeve”.

“Përse është kështu? Përse nuk vepruan më herët? Çdo herë kemi dëgjuar: ‘Na kuptoni, politika është e komplikuar, situata është e komplikuar dhe duhen disa marrëveshje dhe nuk mund të vendosim shpejt – krejt këto janë bla-bla bla. Është e njëjta gjë për krejt shtetet dhe burokracitë e tyre”.

Krejt në fund thotë se kur nuk gjen përgjigje te shtetet e tjera, i kërkon te vetja.

“Shpesh kam kërkuar për përgjigje te dikush tjetër, por i kam bërë pyetje vetes. A kemi bërë mjaftueshëm për t’i siguruar armët? A kemi punuar mjaftueshëm që këta liderë të besojnë në ne? A jemi në vendin dhe kohën e duhur? Kush e di? Unë s’e di. Sepse kur shihni viktima, kërkoni përgjigje te vetja. Çdo njeri normal do të gjente gabimet dhe do t’i përmirësonte jo vetëm te dikush tjetër. Duhet ta përmirësoni edhe veten”.

Zelenskyy, në ditët e fundit, ka mirëpritur liderë të shumtë evropianë që kanë shprehur solidaritetin me Ukrainën.