Botë

Mbrojtja e zogjve nga gripi i shpendëve

gripi, shpendet, 7 prill, semundje,

Kopshtet zoologjike në mbarë Amerikën e Veriut po i zhvendosin zogjtë e tyre brenda dhe larg njerëzve dhe kafshëve të egra, teksa përpiqen t’i mbrojnë ata nga gripi i shpendëve ngjitës e me shumë gjasë vdekjeprurës.

Pinguinët mund të jenë të vetmit zogj që vizitorët në shumë kopshte zoologjike mund t’i shohin tani, sepse ata tashmë mbahen brenda dhe zakonisht mbrohen pas xhamit në ekspozitat e tyre, duke e bërë edhe më të vështirë që gripi i shpendëve t’i arrijë.

Gati 23 milionë pula e gjela janë vrarë tashmë në të gjitha Shtetet e Bashkuara për ta kufizuar përhapjen e virusit, kurse kopshtet zoologjike po punojnë shumë për të parandaluar që ndonjë nga zogjtë e tyre të ketë të njëjtin fat. Do të ishte veçanërisht shqetësuese për kopshtet zoologjike që të duhet të vrasin ndonjë nga speciet e rrezikuara ose të kërcënuara në kujdesin e tyre.

“Do të ishte jashtëzakonisht shkatërruese”, ka thënë Maria Franke, e cila është menaxhere e shkencës së mirëqenies në kopshtin zoologjik të Toronros, e cika ka marrë më pak se dy duzina zogj cicërues Loggerhead Shrike, që po i rrit me shpresën për t’i rifutur në natyrë. “Kujdesi ndaj kafshëve dhe mirëqenies së tyre është me rëndësi shumë të madhe për ne. Ka staf të madh që ka lidhje të ngushtë me kafshët, për të cilat kujdesën këtu në kopshtin zoologjik”.

Punonjësit e kopshtit zoologjik të Torontos po shtojnë çati në disa ekspozita të shpendëve në natyrë dhe po e kontrollojnë dy herë rrjetën përreth për t’u siguruar që do t’i mbajë jashtë zogjtë e egër.

Zogjtë e largojnë virusin përmes jashtëqitjes dhe rrjedhjes së hundës. Ekspertët kanë bërë të ditur se ai mund të përhapet përmes pajisjeve të kontaminuara, veshjeve, çizmeve dhe automjeteve që transportojnë furnizime. Hulumtimet kanë treguar se zogjtë e vegjël që hyjnë në ekspozitat ose ndërtesat e kopshtit zoologjik po ashtu mund ta përhapin gripin, e minjtë madje mund ta sjellin atë brenda.

Deri më tani nuk është raportuar asnjë shpërthim në kopshtet zoologjike, mirëpo ka pasur zogj të egër që janë gjetur të ngordhur nga gripi.

Shumica e hapave që po ndërmarrin kopshtet zoologjike janë krijuar për ta parandaluar kontaktin midis zogjve të egër dhe kafshëve të kopshtit zoologjik. Në disa vende, zyrtarët po u kërkojnë punonjësve të mbathin çizme të pastra dhe të kenë veshje mbrojtëse para se të hyjnë në zonat e shpendëve.

Kur rastet e gripit të shpendëve gjenden në shumë shpendë, zyrtarët urdhërojnë që të vritet e gjithë tufa, për shkak se virusi është shumë ngjitës. Megjithëkëtë, Departamenti Amerikan i Bujqësisë ka treguar se kopshtet zoologjike mund ta shmangin këtë duke i izoluar zogjtë e infektuar dhe ndoshta duke i eutanizuar një numër të vogël të tyre.

Sarah Woodhouse, drejtoreshë e shëndetit të kafshëve në kopshtin zoologjik dhe Akuariumi Henry Doorly në Omaha, ka thënë se ajo është optimiste

pasi ka biseduar me rregullatorët shtetërorë dhe federalë.

“Ata të gjithë bien dakord se urdhërimi për ta shpopulluar një pjesë të madhe të koleksionit tonë do të ishte përpjekja absolute e fundit. Kështu që ata janë me të vërtetë të interesuar të punojnë me ne për të parë se çfarë mund të bëjmë për t’u siguruar që nuk do të përhapim sëmundjen, ndërkohë që do të jemi në gjendje të kujdesemi për zogjtë tanë dhe të mos duhet të eutanizojmë”, ka vënë në dukje Woodhouse.

Ndër masat paraprake që po marrin kopshtet zoologjike është mbajtja e zogjve në grupe më të vogla në mënyrë që nëse gjendet një rast, vetëm disa do të preken. USDA dhe veterinerët e shtetit do të merrnin vendimin përfundimtar se cilët zogj duhej të vriteshin.

“Eutanazia është me të vërtetë mënyra e vetme për ta mbajtur atë të mos përhapet”, ka theksuar Luis Padilla, i cili është nënkryetar i koleksioneve të kafshëve në kopshtin zoologjik Saint Louis. “Kjo është arsyeja pse ne kemi kaq shumë nga këto masa shumë proaktive”.

Kafazi Kombëtar në Pittsburgh - më i madhi në vend - po ofron kontrolle individuale shëndetësore për secilin prej rreth 500 zogjve të tij. Shumë prej tyre tashmë jetojnë në rrethime të mëdha qelqi ose habitate të jashtme ku nuk kanë ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj kafshëve të egra, ka shpjeguar dr. Pilar Fish, drejtoreshë e lartë e mjekësisë veterinare dhe avancimit zoologjik të zogjve.

Themeluesi i Kansas City Zoo, Sean Putney, ka bërë të ditur se ai ka dëgjuar disa ankesa nga vizitorët, mirëpo shumica e njerëzve duket se nuk e kanë problem që nuk mund t’i shohin disa zogj. “Mendoj se të ftuarit tanë e kuptojnë se ne kemi në mendje atë që është në interesin më të mirë të kafshëve kur marrim këto vendime edhe pse ata nuk mund t'i shohin ato”, është shprehur Putney.

Zyrtarët theksojnë se gripi i shpendëve nuk e rrezikon sigurinë e mishit ose vezëve ose nuk paraqet një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e njeriut. Asnjë zog i infektuar nuk lejohet të hyjë në furnizimin me ushqim, dhe gatimi i duhur i shpendëve dhe vezëve vret bakteret dhe viruset. Asnjë rast njerëzor nuk është gjetur në SHBA, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.