Botë

Kryeministri hungarez i kërkon Putinit armëpushim në Ukrainë

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se të mërkurën ka biseduar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të cilit i ka kërkuar që të vendoste armëpushim në Ukrainë.

Në një konferencë shtypi, Orban ka thënë se e ka ftuar Putinin për bisedime për paqe në Hungari, bashkë me presidentët ukrainas dhe francezë, si dhe kancelarin gjerman.

“Përgjigjja e Putinit ishte pozitive, por me kushte”, ka thënë Orban duke mos dhënë detaje të mëtejshme, raportoi CNN-i.

Orban në këtë adresim për shyp ka deklaruar se nuk do të dorëzohet para presionit për të rritur sanksionet ndaj importeve të naftës dhe gazit nga Rusia.

Madje, ai është shprehur i përgatitur për të paguar me rubla për gazin rus, duke dalë jashtë radhëve të Bashkimit Evropian që ka kërkuar një unitet për të kundërshtuar kërkesën e Moskës për pagesë në këtë monedhë.

Orban ka marrëdhënie të mira me Rusinë, ndërsa gjatë fjalimit të tij të parë pas fitores në zgjedhjet e 3 pillit, ai i përshkroi burokratët e Brukselit dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn si kundërshtarë të tij.