Botë

SHBA-ja testoi në fshehtësi një raketë hipersonike

Shtetet e Bashkuara të Amerikës testuan me sukses një raketë hipersonike në mes të marsit, por e mbajtën të fshehtë aksionin për dy javë për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve me Rusinë, meqë presidenti Joe Biden përgatitej të udhëtonte në Evropë në atë kohë, tha një zyrtar i mbrojtjes, shkruan CNN të martën.

Raketa e quajtur Hypersonic Air-breathing Weapon Concept (HAWC), u lëshua nga një bombardues B-52 në Bregun Perëndimor, tha zyrtari, në testin e parë të suksesshëm të një versioni të sistemit të Lockheed Martin.

Zyrtari ofroi pak detaje të për testimin e raketës, duke vënë në dukje vetëm se raketa fluturoi mbi lartësinë 20.000 km dhe përshkoi distancë më shumë se 480 kilometra.

Testi u bë disa ditë pasi Rusia tha se përdori raketën e saj hipersonike gjatë pushtimit të Ukrainës, duke pretenduar se cak kishte një depo municioni në Ukrainën perëndimore.

Zyrtarët amerikanë minimizuan rëndësinë e përdorimit të raketës hipersonike “Kinzhal” nga Rusia. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, tha se ai nuk e konsideronte atë "një lloj ndryshimi në lojë", pasi rusët njoftuan për lëshimin e raketës.

Disa ditë më vonë, zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se ishte "e vështirë të dihej se cila është arsyeja e saktë" për lëshimin e raketës, meqë shënjestër ishte një magazinë, gjë e palëvizshme.

Raketa ruse “Kinzhal” është thjesht një version ajror i raketës balistike me rreze të shkurtër veprimi “Iskander” dhe vlerësohet se është larg revolucionit të armëve hipersonike, që mbështeten në energjinë kinetike për të shkatërruar objektivin.