Botë

Vuçiqi shpall fitoren në zgjedhjet e Serbisë

Descriptive Text

Presidenti i Serbisë dhe lideri i Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiq, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbajtura më 3 prill.

Ai në një adresim në orët e vona të së dielës, tha se ai dhe partia e tij i kanë fituar këto zgjedhje, megjithëse sipas tij, “i kanë humbur disa vota për shkak të krizës në Ukrainë”.

“Për këtë jam edhe unë fajtor që disa vota kanë shkuar ‘djathtas’”, tha Vuçiqi, përcjell b92.

“Sipas rezultateve tona lista ‘Së bashku mundemi gjithçka’ ka fituar 44 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare”, shtoi Vuçiqi.

Ndërkohë, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga organizatat joqeveritare në Serbi, IPSOS/CeSid, ai i ka fituar zgjedhjet për president me 59.8 për qind të votave, që do të thotë se nuk do të ketë nevojë për raund të dytë.

Mediat në Serbi raportojnë se deri në orën 8 të ditës së hënë, janë numëruar mbi 80 për qind të votave.

Të dielën, në Serbi u mbajtën zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale në 12 komuna.