Botë

COVID-19 në Britani arrin shifra rekorde, pothuajse 5 mln banorë të infektuar

Descriptive Text

Shifra e të prekurve me COVID-19 në Britani të Madhe ka arritur nivele rekord, me rreth 1 në 13 persona që vlerësohet të jenë të infektuar me virusin, treguan shifrat e fundit nga agjencia zyrtare e statistikave të Britanisë, të shtunën.

Rreth 4.9 milionë njerëz u vlerësuan të kishin koronavirus këtë javë, nga 4.3 milionë të regjistruar në javën e kaluar, ka bërë të ditur ndërkohë të premten, Zyra për Statistikat Kombëtare.

Rritja e fundit është nxitur nga varianti më i transmetueshëm i Omicronit, BA.2. i cili është varianti dominues në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Shkalla e shtrimeve në spital dhe e vdekjeve po rritet përsëri, megjithëse numri i njerëzve që vdesin me COVID-19 është ende relativisht i ulët krahasuar me fillimin e këtij viti.

Vlerësimet e fundit sugjerojnë se rritja e infeksioneve të reja që nga fundi i shkurtit, kur kryeministri Boris Johnson hoqi të gjitha kufizimet e mbetura të koronavirusit në Angli, vazhdoi edhe në mars.

Shifrat erdhën në ditën kur qeveria përfundoi testet e shpejta falas për COVID-19 për shumicën e njerëzve në Angli, sipas planit të Johnsonit "të jetosh me COVID".

Njerëzit që nuk kanë kushte shëndetësore që i bëjnë ata më të prekshëm ndaj koronavirusit, tani duhet të paguajnë për analizat për të zbuluar nëse janë të infektuar.