Botë

Forcat ruse konfiskojnë 14 tonë ndihma humanitare në Ukrainë

Descriptive Text

Forcat ruse kanë konfiskuar të enjten 14 tonë ndihma humanitare nga autobusët që niseshin për në Melitopol në Ukrainën jugore, sipas Iryna Vereshchuk, ministre ukrainase për Riintegrimin e territoreve të pushtuara përkohësisht, raporton CNN.

Vereshchuk ka thënë se ushqimi dhe ilaçet ishin ngarkuar në 12 autobusë.

"Ky është çmimi për korridoret e rënë dakord dhe për garancitë e Kryqit të Kuq se korridoret do të sigurohen dhe do të funksionojnë”, ka thënë Vereshchuk.

“Ne po negociojmë që autobusët të kthehen dhe banorët e Melitopolit nesër të evakuohen duke përdorur këta autobusë”, ka shtuar ajo.

Vereshchuk ka bërë të ditur se 1.458 njerëz arritën në Zaporizhzhia me makinat e tyre të enjten, me 631 prej tyre që ikën nga qyteti i rrethuar i Mariupolit dhe 827 vijnë nga Berdiansk, Enerhodar, Melitopol, Polohy, Huliapole dhe Vasylivka në rajonin e Zaporizhia.

Forcat ruse gjithashtu bllokuan 45 autobusë që shkonin në Berdiansk të enjten në rrugë për në Mariupol, shtoi ajo.

Rusia do të rihapë korridorin e evakuimit nga Mariupol në Zaporizhzhia të premten me kërkesë të liderëve francezë dhe gjermanë, ka bërë të ditur të enjten Ministria ruse e Mbrojtjes.