Botë

Bideni merr vaksinën e katërt anti-COVID

Presidenti amerikan, Joe Biden i ka bërë thirrje Kongresit të mërkurën të miratojë miliarda dollarë fonde shtesë për të luftuar pandeminë COVID-19.

Këtë deklaratë Bideni e bëri të mërkurën, pasi mori një dozë të dytë përforcuese të vaksinës Pfizer, një ditë pasi rregullatorët federalë miratuan një injeksion të katërt për personat e moshës mbi 50 vjeç.

Biden foli derisa administrata e tij krijoi COVID.gov, një faqe interneti për të ndihmuar njerëzit në Shtetet e Bashkuara të kenë qasje në teste, vaksina dhe trajtime për COVID-19, së bashku me përditësimet e statusit mbi shkallët e infeksionit ku ata jetojnë.

Bideni u bëri presion ligjvënësve që të sigurojnë fonde shtesë "menjëherë" për të garantuar furnizim të vazhdueshëm.

"Kongres, ne duhet të sigurojmë furnizim shtesë tani”, ka thënë Bideni, duke paralajmëruar për mungesë të vaksinave, testeve dhe trajtimeve.

"Kjo nuk është partiake, është mjekësi”, ka shtuar Bideni.

Biden 79 vjeç, mori dy dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit pak para se të merrte detyrën dhe një dozë të parë përforcuese në shtator të vitit të shkuar.

Të martën, Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve hapën rrugën për një vaksinë tjetër për këdo që është mbi 50 vjeç.