Botë

Vriten pasagjerë të trenit nga banda kriminale në Nigeri

Shtatë pasagjerë janë vrarë pasi një person i armatosur ka sulmuar një tren mes kryeqytetit të Nigerisë, Abuja, dhe qytetit Kaduna, raportoi të martën BBC.

Banda minoi hekurudhën duke detyruar trenin, që kishte 970 pasagjerë brenda, të ndalej. Persona të armatosur më pas rrethuan vagonët dhe hapën zjarr, tha një pasagjer për BBC.

Një numër i pasagjerëve u rrëmbyen nga treni.

Rrëmbimi për të kërkuar shpërblim është bërë i zakonshëm në të gjithë Nigerinë.

Kjo është hera e dytë që linja hekurudhore midis qyteteve është vënë në shënjestër në gjashtë muajt e fundit, por është deri tash rasti më serioz, ka thënë Chris Ewokor i BBC-së në Abuja.

Korporata Nigeriane Hekurudhore (NRC) ka pezulluar operacionet përgjatë itinerarit.

Linja hekurudhore është një portë për miliona njerëz në shtetet veriperëndimore që duan të udhëtojnë në Abuja dhe më tej në jug.