Botë

Mediumi kroat shkruan se Rusia do të nisë destabilizimin e Ballkanit pas zgjedhjeve në Serbi

Descriptive Text

Pas zgjedhjeve në Serbi, Rusia mund të fillojë destabilizimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, ka shkruar të hënën portali kroat “24sata.hr”.

Sipas këtij raporti, të ndërtuar me burime, Rusia planifikon të përdorë skenën mediatike në Serbi për të kthyer mediumet e pavarura njërën kundër tjetrës.

Në tekstin që ka të bëjë me kalkulimet parazgjedhore dhe përfaqësimin e kandidatëve në zgjedhjet në Serbi, portali “24sata” thekson se si do që të përfundojë gara zgjedhore, pas agresionit rus ndaj Ukrainës, asgjë nuk është e njëjtë, “përfshirë politikën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i ulur në 500 karrige”.

Zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe një pjesë lokale në Serbi, do të mbahen më 3 prill.

“Hapësira e manovrimit të Serbisë është ngushtuar dhe BE-ja nuk do të tolerojë më atë që e ka lejuar prej vitesh dhe kjo është pak nga BE-ja, pak nga Rusia, pak nga Kina. Tani është koha për të marrë anë. Sipas bashkëbiseduesve që kanë biseduar me diplomatët e NATO-s, Moska në ditët në vijim, si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të vendosura, mund të fillojë destabilizimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, duke intensifikuar fushatën e mbjelljes së përçarjes dhe dezinformimit. Sipas burimeve, ‘shpërthimi’ i parë dhe më i fortë i makinerisë propagandistike ruse mund të ketë jehonë në Serbi, ku aktualisht po zhvillohet fushatë zgjedhore”, shkruan “24sata”.

Siç thuhet në artikull, disa misione diplomatike të vendeve perëndimore në Beograd tashmë janë informuar nga qarqet diplomatike dhe inteligjente se të parat që do të goditen do të jenë ato pak media të pavarura të mbetura në Serbi.

Më 2019, Pentagoni zbuloi në raportin "Synimet strategjike ruse" se Moska ka aftësinë të promovojë ndarjet sociale në Perëndim, të dobësojë shoqërinë civile dhe të minojë sistemin shumëpartiak në Evropë. Dokumenti vë në pah tri qëllime të strategjisë globale të Putinit: të rifitojë dhe të sigurojë ndikimin e Rusisë në ish-Bashkimin Sovjetik, të rikthejë statusin si "fuqi e madhe" në botë dhe të prezantohet si aktor i besueshëm, lojtar i fuqishëm rajonal dhe ndërmjetës i suksesshëm për të fituar ekonomikisht, ushtarakisht dhe politikisht.