Botë

Bideni shkon sot në Poloni, viziton edhe refugjatët ukrainas

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të qëndrojë të premten në Poloni, ku pritet t’i vizitojë edhe refugjatët ukrainas atje, raporton CNN-i të enjten.

Polonia është shteti fqinj i Ukrainës, i cili deri tani ka pritur numrin më të madh të refugjatëve ukrainas të cilët kanë ikur nga lufta.

"Kam në plan t'i shoh ata njerëz si dhe shpresoj se do të jem në gjendje t'i shoh - me sa duket nuk duhet të them se ku po shkoj, apo jo”, ka deklaruar Biden, në një konferencë shtypi në Bruksel, pas samitit të NATO-s.

Detajet e sakta të vizitës së Bidenit në Poloni po mbahen të pazbuluara për arsye sigurie.

Bideni ka thënë se vizita te refugjatët do të përforconte pikëpamjen e tij se SHBA-ja duhet të veprojë në mënyrë të shpejtë për të ndihmuar në zhvendosjen e tyre.

Të paktën 10 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë i cili ka nisur më 24 shkurt.