Botë

Stacioni i trenit në Poloni, pikë transiti për refugjatët ukrainas

Stacioni i trenit në Poloni është bërë ndalesë shprese për ukrainasit, të cilët janë larguar nga vendi i tyre, shkaku i luftës.

Burra të moshuar, gra e fëmijë, përmes këtij stacioni, janë në kërkim të gjetjes së një vendi më të sigurt për të jetuar. Të paktën derisa lufta të mbarojë.

Pritjet janë të gjata, por kujdesi për refugjatët ukrainas nuk mungon.

Përveç vendit, shumë nga këta refugjatë në Ukrainë kanë lënë edhe familjarët e tyre.

Një nga ta është edhe Ana nga Odesa e Ukrainës.

“Unë kam ardhur në Poloni, sepse në vendin tim është luftë. Ne kemi ardhur në Poloni te shokët tanë. Në Ukrainë kemi lënë familjen, gjyshen time, gjyshin, axhën, babanë, shokët e mi dhe njerëzit e tjerë që unë njoh”, tha Ana.

Stacioni i trenit në Poloni ishte pikë ndalese edhe për Kristinën.

“Unë vij nga Ukraina dhe këtu jam së bashku me shokun tim. Duam të shkojmë në Çeki, por nuk e dimë se si të shkojmë. Shpresoj që të shkojmë atje sa më shpejt. Në Ukrainë unë kam familjen, nënën, babanë dhe vëllain. Ata tash janë mirë, por çdo ditë janë të rrezikuar nga lufta e Rusisë”, u shpreh ajo.

Sipas UNHCR-së, që nga nisja e luftës së Rusisë, nga Ukraina janë larguar mbi 3 milionë persona derisa numri i tyre pritet të arrijë shifrën prej 4 milionë sosh.