Botë

SHBA-ja e BE-ja me marrëveshje për furnizim me gaz natyror dhe hidrogjen

Administrata Biden dhe Bashkimi Evropian pritet të bëjnë publike një iniciativë të madhe për dërgimin direkt të gazit natyror të lëngshëm në Evropë. Kjo iniciativë do të bëhet publike gjatë vizitës së presidentit të SHBA-së, Joe Biden, në Evropë këtë javë, thonë zyrtarët amerikanë që kanë njohur për këtë plan, raporton “The Guardian” të enjten.

Njoftimi do të vjen pasi zyrtarët evropianë i kanë kërkuar SHBA-së të bëjë më tepër për të ndihmuar në zvogëlimin e varësisë nga burimet energjetike ruse.

Këshilltari për sigurinë nacionale në administratën Biden, Jake Sullivan, ka thënë se marrëveshja mund të bëhet publike të premten. Sipas një zyrtari amerikane, synohet të sigurohen furnizimet me gaz natyror amerikanë dhe hidrogjen për Evropën.

“Një prioritet si për presidentin ashtu edhe për aleatët e tij evropianë është që të reduktohet varësia e Evropës nga gazi rus dhe praktikisht të bëhet një plan me hapat që duhet të merren, si mund të kontribuojë SHBA-ja dhe se çfarë mund të bëjë Evropa vetë”, tha Sullivan.

Duke folur para deputetëve evropianë në Bruksel të mërkurën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se “gjithë anëtarët e BE-së mund të kontribuojnë në reduktim të varësisë nga gazi rus”.