Botë

Dendias dëshiron të drejtojë misionin e ndihmës humanitare për Mariupolin

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, ka propozuar të martën që ta udhëheqë një mision për ndihmë humanitare në qytetin e rrethuar ukrainas, Mariupol.

“Unë synoj ta drejtoj personalisht këtë ndihmë”, ka thënë Dendias në një konferencë për shtyp pas takimit me konsullin e përgjithshëm të Greqisë në Mariupol, Manolis Androulakis, diplomati i fundit i Bashkimit Evropian që u largua nga ky qytet, raporton Reuters.

Dendias ka thënë se përparësia e Greqisë ishte mbrojtja e civilëve të paarmatosur dhe grekëve etnikë që jetojnë në Mariupol, teksa ka shtuar se ka njoftuar tashmë autoritetet ukrainase dhe ruse për misionin humanitar.

“I kam dërguar një notë verbale palës ukrainase duke kërkuar për lehtësim të dërgimit të ndihmës humanitare në Mariupol dhe një tjetër notë verbale palës ruse duke i kërkuar që të mos pengojë këto përpjekje”, ka thënë ai.

Ukraina i bëri thirrje Rusisë të martën që të lejojë furnizimet humanitare në Mariupol dhe të lejojë civilët të dalin nga qyteti, për të cilin Presidenti Volodymr Zelensky ka thënë se ishte shkatërruar nga bombardimet ruse.

Rusia, nga ana e saj, mohon të ketë shënjestruar civilët dhe fajëson Ukrainën për dështimin për të vendosur një korridor të sigurt për civilët nga Mariupol.

Të paktën 10 grekë etnikë janë vrarë dhe disa janë plagosur që kur Rusia filloi të sulmojë Mariupolin. Më shumë se 150 shtetas grekë, ekuipazhe anijesh dhe grekë etnikë janë evakuuar nga rajoni, sipas qeverisë greke.