Botë

Rrëfimet e refugjatëve për frikën nga vrasja e zhdukjen e të afërmve

Rrëfimet e refugjatëve nga kufiri Poloni – Ukrainë janë të ndryshme. Disa nga ukrainasit të intervistuar nga KOHA kanë treguar se si javë të tëra kanë qëndruar të mbyllur pa bukë e gjëra elementare.

Historitë e refugjatëve të Ukrainës kanë në vete krisma bombash, tinguj sirenash që bombardimet mund të fillojnë, ditë e javë të tëra të mbyllur në shtëpi pa ushqim, ngrohje e ujë.

Shpesh këto i vështirësonte humbja e kontaktit me familjarët dhe frika që më nuk do t’i shohin të gjallë.

Këto janë disa nga përvojat që refugjatët të cilët kanë arritur të martën nga Ukraina në Poloni i kanë ndarë me ekipin e KOHËS.

“Kam dëgjuar bomba vazhdimisht. Po ashtu sirena. Ishte e tmerrshme. Po ishte shumë rrezik. Jeta ime ishte në rrezik”, ka thënë Nikola Machushki.

Por për një tjetër ukrainase javët e fundit i kishte shumë të vështira. Thotë se dëgjonte bombardime vazhdimisht derisa qëndronte e mbyllur pa asnjë nga kushtet elementare të jetës.

Këto javë i ka kaluar në dy qytete Kiev dhe Bucha ku kishte luftime të ashpra.

E, edhe kur nuk kishte bombardime, ajo thotë se ishte rrezik të shëtitej jashtë.

“Kam qëndruar dy javë e mbyllur pa bukë e pa ujë, pa gaz pa asgjë. Unë nuk e di ku e kam shoqen. Herën e fundit kur fola ishte duke qarë. Telefoni më nuk po i punon. Kur kam folur herën e fundit me telefonoj ajo ishte duke qarë. Ma dërgoi një video-mesazh në viber. Tani nuk e di ku është”, është shprehur Olga Ahmedova.

E një studente udhëton çdo ditë nga Ukraina për në kufirin e Medykas. Një gjë të tillë e bënë për t’i ndihmuar refugjatët e Ukrainës. Ajo ju asiston sidomos me përkthim. Shumica e ukrainasve nuk dinë gjuhë të dytë.

Ajo ka lëvizur nga qytetit i Maripolit për në Lviv, për shkak se qyteti i saj tashmë është shkatërruar nga rusët. Është frikësuar se do ta vrasin, për shkak që është aktiviste.

“Unë jam aktiviste dhe kam folur gjithmonë për të drejtat e kombit tim, andaj jam frikësuar që do të më vrasin rusët. E dija që nëse rri në qytetin tim, ata thjesht do të më vrisnin, andaj jam frikësuar për jetën time”, ka thënë aktivistja Katia Dabuqan.

Nga këtu, refugjatët janë larguar për në pikën qendrore në qytetin e Przmesylit.

Para kësaj pike prisnin autobusët për t’i transportuar në shtete të ndryshme evropiane.