Botë

Cilat kanë qenë gabimet ushtarake të Rusisë në luftë?

Rusia ka një nga forcat e armatosura më të mëdha dhe më të fuqishme në botë, por kjo nuk ka qenë e dukshme në pushtimin e Ukrainës. Shumë analistë ushtarakë në Perëndim janë befasuar me performancën e saj në fushëbetejë deri tash, me njërin që e përshkroi si “të mjerë”, shkruan BBC të shtunën.

Avancimi ushtarak rus duket të ketë ngecur dhe disa tani pyesin nëse mund të rikthehet nga humbjet që ka pësuar. Këtë javë, një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s i tha BBC-së se “rusët qartazi nuk kanë arritur qëllimet e tyre dhe ndoshta nuk do t’i arrijnë në fund”. Pra, çfarë ka shkuar keq? Zyrtarë ushtarakë perëndimorë dhe të inteligjencës kanë treguar për gabimet që Rusia ka bërë.

Supozimet e gabuara

Gabimi i parë i Rusisë ishte nënvlerësimi i fuqisë së rezistencës dhe kapaciteteve të forcave të armatosura të Ukrainës. Rusia ka buxhet vjetor të mbrojtjes prej më shumë se 60 miliardë dollarë, krahasuar me shpenzimet e Ukrainës prej më pas se 4 miliardë dollarë.

Në të njëjtën kohë, Rusia dhe shumë të tjerë, duket se kanë mbivlerësuar fuqinë ushtarake të veten.

Image
Fuqia ushtarake para pushtimi rus

Një zyrtar ushtarak i lartë britanik ka thënë se shumë nga investimet e Rusisë janë shpenzuar në arsenalin dhe eksperimentimin bërthamor, që përfshinte zhvillimin e armëve të reja si raketat hipersonike. Rusia supozohet se ka ndërtuar tanket më të avancuara në botë – Armata T-14. Por, derisa është parë në paradën e Ditës së Fitores së Moskës, ka munguar në fushën e luftës. Shumica e atyre që Rusia ka përdorur janë tanke më të vjetra T-72, transportues të blinduar të personelit, artileri dhe raketahedhës.

Në fillim të pushtimit Rusia kishte avantazh të qartë në ajër, me avionët luftarakë që kishte lëvizur pranë kufirit, duke tejkaluar numrin e forcave ajrore të Ukrainës me më shumë se tre me një. Shumica e analistëve ushtarakë supozuan se forca pushtuese do të merrte shpejt epërsinë në ajër, por jo. Mbrojtja ajrore e Ukrainës është ende efektive, duke kufizuar aftësinë e Rusisë për të manovruar.

Një zyrtar i lartë perëndimor i tha BBC-së se Rusia mendoi se mund të vendoste njësi më të lehta, si trupat Spetsnatz dhe VDV, “për të eliminuar një numër të vogël mbrojtësish”. Por, në ditët e para sulmi i helikopterit të tyre në aeroportin Hostomel, u zmbraps, duke i mohuar Rusisë një urë ajrore që të sjellë trupa, pajisje e furnizime.

Në vend të kësaj, Rusia ka transportuar shumicën e pajisjeve përmes rrugës. Kjo ka krijuar bllokime trafiku të cilat janë objektiva të lehta për t'u zënë pritë nga forcat ukrainase. Disa forca të blinduara të rënda kanë dalë nga rruga, vetëm për të ngecur në baltë, duke përforcuar imazhin e një ushtrie që është "mbytur".

Ndërkohë, kolona e gjatë e blinduar e Rusisë nga veriu që u kap nga satelitët nuk ka arritur ende të rrethojë Kievin. Përparimet më të rëndësishme kanë ardhur nga jugu, ku ajo ka mundur të përdorë linjat hekurudhore për të rifurnizuar forcat e saj. Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, i tha BBC-së se forcat e presidentit Putin "kanë humbur momentin".

"Ata kanë ngecur dhe janë të ngadalshëm, por me siguri po marrin dëme të konsiderueshme".

Humbja dhe morali i ulët

Rusia kishte grumbulluar një forcë prej rreth 190,000 trupash për këtë pushtim dhe shumica e tyre tashmë janë angazhuar në betejë. Por ata kanë humbur tashmë rreth 10% të asaj force. Nuk ka shifra të besueshme për shkallën e humbjeve të Rusisë apo Ukrainës. Ukraina pretendon se ka vrarë 14,000 trupa ruse, megjithëse SHBA-ja vlerëson se është ndoshta gjysma e këtij numri.

Zyrtarët perëndimorë thonë se ka gjithashtu dëshmi të rënies së moralit midis luftëtarëve rusë, me një që thotë se ishte "shumë, shumë, i ulët". Një tjetër tha se trupat ishin "të ftohtë, të lodhur dhe të uritur", pasi ata kishin pritur tashmë në dëborë për javë të tëra në Bjellorusi dhe Rusi përpara se t'u jepej urdhri për të pushtuar.

Rusia tashmë është detyruar të kërkojë më shumë trupa për të kompensuar humbjet e saj, duke përfshirë lëvizjen e njësive rezervë nga aq larg si nga lindja e vendit dhe Armenia. Zyrtarët perëndimorë besojnë se është gjithashtu "shumë e mundshme" që trupat e huaja nga Siria do t'i bashkohen së shpejti luftës, së bashku me mercenarët nga grupi i saj sekret Wagner.

Furnizimet dhe logjistika

Rusia ka luftuar me bazat. Ekziston një thënie e vjetër ushtarake që amatorët flasin për taktika ndërsa profesionistët studiojnë logjistikë. Ka prova që Rusia nuk e ka konsideruar mjaftueshëm atë. Kolonat e blinduara kanë mbetur pa karburant, ushqim dhe municione. Automjetet janë prishur dhe janë lënë të braktisura, më pas janë tërhequr nga traktorët ukrainas.

Zyrtarët perëndimorë besojnë gjithashtu se Rusisë mund t'i mbarojnë disa municione. Ajo tashmë ka gjuajtur midis 850 dhe 900 municione precize me rreze të gjatë, duke përfshirë raketa. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Rusia i është afruar Kinës për të ndihmuar në adresimin e disa prej mungesave të saj.

Nga ana tjetër, ka pasur rrjedhje të qëndrueshme të furnizimit me armë nga Perëndimi në Ukrainë, e që ka qenë shtysë për moralin e saj. SHBA-ja ka deklaruar se do të ofrojë mbështetje mbrojtjeje prej 800 milionë dollarësh. Po ashtu, më shumë raketa anti-tank dhe kundërajrore, pritet të përfshijë Switchblade, që është një dron “kamikaz” i vogël i prodhuar nga SHBA-sa që mund të mbahet në një çantë shpine para se të lëshohet për të gjuajtur eksploziv në targetet në tokë.

Perëndimorët ende paralajmërojnë se presidenti Putin mund ta “dyfishojë me brutalitet më të madh”. Ata thonë se ai ende ka fuqi të mjaftueshme për të bombarduar qytetet ukrainase për një “periudhë të konsiderueshme”.

Pavarësish pengesave, një zyrtar i inteligjencës ka thënë se Putini ka pak gjasa të pengohet dhe se mund të përshkallëzojë. “Ai është i sigurt se Rusia mund ta mposhtë ushtarakisht Ukrainën”. Dhe derisa forcat ukrainase kanë treguar rezistencë të fortë, zyrtari i njëjtë paralajmëron se pa furnizime më të mëdha edhe ata “mund të shpenzohen gradualisht në aspektin e municionit dhe numrave”. Shanset mund të jenë më të mira se kur filloi lufta, por ata ende duken të grumbulluar kundër Ukrainës./ BBC