Botë

Hotelet e luftës

Është fort mirë e dokumentuar se hotelet shpesh ripërdoren në kohë lufte. Mund të militarizohen si “asete strategjike”, të përdoren si burgje apo qendra paraburgimi, të shërbejnë si hapësira ku zhvillohen negociatat, si baza operacionale për mediat apo si strehimore për refugjatët apo personat e zhvendosur brenda vendit. Gjithashtu, mund të jenë objektiva të buta për grupet e armatosura

Lufta në Ukrainë ka sjellë nëpër shtëpi ndikimin shkatërrues dhe pamjet e tmerrshme dhe të mjerimit njerëzor që kanë përcjellë pushtimin rus. Ka marrë vëmendje të madhe të medias, me mbulimin e krejt zhvillimeve në shumë kanale ndërkombëtare të lajmeve dhe një numër i madh i korrespondentëve po raportojnë nga terreni. Kështu, edhe një herë, hotelet janë dëshmuar si përbërës jetikë në infrastrukturën e mediave në terren.

Teksa lufta hyri në javën e tretë, u botua libri, Hotelet e Luftës, shkruar nga unë dhe gazetari dhe regjisori libanez, Abdallah El Binni. Bazuar në kërkimin që kemi kryer për serinë e dokumentarëve me të njëjtin titull për “Al Jazeera”, ofron përshkrim të detajuar të jetës në kohën e luftës brenda disa prej atyre hoteleve ikonë që u bënë baza për mediat ndërkombëtare, hotele të tilla si “Continental Palace” dhe “Caravelle” në Saigon. (Ho Chi Minh City), Hotel Le Royale/Le Phnom në Phnom Penh, Europa në Belfast, Commodore në Bejrut, Al Rasheed dhe Palestina në Bagdad dhe “hoteli i vijës së frontit” në Sarajevë, Holiday Inn, i përshkruar nga ish-korrespondenti i huaj i BBC-së, Martin Bell, si “hoteli i luftës”. Këto hotele, dhe shumë të tjerë, ishin pjesë e infrastrukturës jetike që lejonte gazetarët të funksiononin në qytetet dhe vendet nga të cilat raportonin.

Është fort mirë e dokumentuar se hotelet shpesh ripërdoren në kohë lufte. Mund të militarizohen si “asete strategjike”, të përdoren si burgje apo qendra paraburgimi, të shërbejnë si hapësira ku zhvillohen negociatat, si baza operacionale për mediat apo si strehimore për refugjatët apo personat e zhvendosur brenda vendit. Gjithashtu, mund të jenë objektiva të buta për grupet e armatosura. Lloji i hoteleve që kemi dokumentuar në libër, ato të përdorura nga media gjatë kohës së luftës, janë bërë më pak të zakonshme në dekadën e fundit, për një mori arsyesh. Operacionet mediatike të kryera, për shembull, nga Caravelle, Commodore ose Holiday Inn, Sarajevë, vazhduan për periudha të gjata dhe shpesh për shkak se hotelet ishin të vetmet vende që mund të siguronin nevojat e gazetarëve ose hapësirat e nevojshme për të pritur zyrat e shtypit.

Bota digjitale

Ama, përparimet në teknologjinë digjitale dhe satelitore i lejuan gazetarët të vepronin më në mënyrë të pavarur pa pasur nevojë të gjenin kuti të mëdha çeliku që përmbajnë telefona të rëndë satelitorë ose makina redaktimi në hotele. Ata as nuk kërkonin patjetër qasje në makineritë teleks ose linja telefonike ndërkombëtare, të rëndësishme në epokën para-digjitale. Këto shpesh i ofronin të gjitha hotelet e luftës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se hotelet janë pjesë e tepërt e infrastrukturës gazetareske, megjithëse mund të përdoren për periudha më të shkurtra. Në të vërtetë, lufta në Ukrainë, edhe pse ka nisur më pak se një muaj, jo vetëm që ka ofruar histori të pafundme të vuajtjeve dhe mjerimit njerëzor, por ka treguar se sa i rëndësishëm është hoteli si pjesë e infrastrukturës së nevojshme për të raportuar nga zonat e luftës dhe për t’i dëshmuar krimet e luftës.

Hotelet, pra, ende ofrojnë shërbime jetike për gazetarët, fotoreporterët dhe ekipet televizive që operojnë në mjedise lufte: pamje – por vetëm në dukje e sigurie, energjisë elektrike, e cila nëse ndërpritet furnizimi normal mund të mbështetet nga gjeneratorët rezervë; ujë, nxehtësi, ushqim, WiFi mjaft i fuqishëm, vend për të shkëmbyer informacione me kolegët dhe për të transmetuar - në thelb, një qendër jetike pune dhe komunikimi. Bodrumet e hoteleve, në kohë normale të përdorura kryesisht për depo, ripërdoren si strehimore nëntokësore gjatë kohës së granatimeve intensive ose sulmeve ajrore.

Mbulimi i luftës në Ukrainë ka tejkaluar shumë konfliktet e fundit si ato në Siri apo Jemen, vende që ishin jashtëzakonisht të rrezikshme për reporterët e huaj. Në Ukrainë, numër i konsiderueshëm korrespondentësh ishin në vend javë para fillimit të pushtimit rus. Numri i tyre është rritur që atëherë. Shumica, edhe pse në asnjë mënyrë të gjithë, ishin të vendosura në Lviv, Kiev ose Dnipro dhe hotelet atje kanë shërbyer si baza të rëndësishme. Në Kiev, Radisson Blu, Hyatt, Premier Palace, Kozatskiy, Senator, Khreschatyk, Intercontinental dhe shumë hotele të tjera më të vogla janë përdorur më pas si bazë për gazetarët. Nga këto hotele ata kanë dërguar raporte të drejtpërdrejta duke përdorur “Aviwestin” portativ. Sistemet e transmetimit “Dejero Live” ose “Live U” që përdorin infrastrukturën 4G të Ukrainës – që përfshin gjashtë rrjete celulare. Një numër më i vogël përdorin sistemin satelitor portativ “Inmarsat BGAN”, ani pse është më i ndjeshëm ndaj bllokimit nga ushtria. Disa korrespondentë nuk shoqërohen nga një kameraman dhe në vend të kësaj përdorin celularët e tyre për të filmuar, montuar ose transmetuar pamje.

Megjithatë, ata janë të detyruar të kthehen në hotelet e tyre përpara orës 8 pasdite deri në 7 të mëngjesit shkaku i orës policore të vendosur nga qeveria ukrainase dhe të zbatuar nga ekipet e sigurisë së hotelit. Nga atje, gazetarët mund të modifikojnë pamjet dhe të dërgojnë raportet e tyre përmes aplikacioneve të “media shuttle”, të transmetojnë drejtpërdrejt nga hollët e hoteleve, dhomat ose ballkonet dhe të strehohen nga bombardimet në errësirën e natës në bodrum. Nëse është e nevojshme.

Udhëheqja e hoteleve

në gatishmëri lufte dhe menaxhmenti i hoteleve, ndoshta më i vogël në numër se në kohë paqeje, do të përpiqet gjatë gjithë kohës të sigurojë që hoteli të mund t’i plotësojë nevojat e mysafirëve. Gazetarët mbështeten te stafi dhe shpesh krijohen lidhje të forta me ta. Në të vërtetë, temë e përsëritur në kërkimin për librin “War Hotels” ishte ndjenja e gazetarëve se kishin braktisur njerëz që kishin njohur mirë për fatin e tyre, pa asnjë mbrojtje, nëse do t’u kishte ofruar pak siguri prania e gazetarëve që u detyruan të iknin nga qyteti që ishte gati të binte.

Në kontekstin aktual të luftës në Ukrainë, korrespondentët që vendosin të qëndrojnë në hotele mezi funksionale mund të jenë subjekt i privimeve të ngjashme të përjetuara nga gazetarët që qëndruan në Holiday Inn, Sarajevë, gjatë rrethimit gati katërvjeçar të qytetit nga ushtria serbe e Bosnjës gjatë luftës 1992-1995 në Bosnjë-Hercegovinë. Hoteli nuk ishte vetëm i vendosur brenda linjave të rrethimit, por direkt në pjesën më të rrezikshme të arteries kryesore nëpër qytet (e cila u bë e njohur si “Sniper Alley”) dhe rreth 500 metra nga një vijë aktive e frontit. Megjithëse qëndrimi në Holiday Inn nuk ishte pa probleme, nuk krahasohej me atë që përjetonin qytetarët e Sarajevës. Megjithatë, mysafirët ishin cak i sulmeve me snajper dhe granatimeve të përditshme. Disa dhoma ishin më të ekspozuara se të tjerat. Hoteli “funksiononte” por shpesh nuk kishte ujë, furnizim të kufizuar me ushqime dhe ngrohje, gjë që ishte veçanërisht problematike gjatë dimrave të ashpër të Sarajevës.

Sigurisht që hotelet janë pjesë e infrastrukturës gazetareske vetëm kur kërkohen shërbimet e tyre. Teksa avancimi rus ngadalë po shkon drejt perëndimit, sulmet ajrore, si ai në Qendrën Ndërkombëtare Paqeruajtëse Yavoriv pranë kufirit polak, dhe ndërsa rrethimi i mundshëm i Kievit po afrohet gjithnjë e më shumë, shumë gazetarë dhe organizata për të cilat punojnë kanë vendosur se ka ardhur koha për t'u tërhequr pa dëshirë në pjesë më të sigurta të Ukrainës, duke vlerësuar se rrethimi i mundshëm i Kievit mund të jetë i ngjashëm me atë të Mariupolit apo edhe të Groznit gjatë luftës së dytë çeçene.

Vrasja e gazetarëve

Vdekja e Evgeny Sakun, i cili u vra gjatë sulmit në kullën televizive në Kiev dhe Viktor Dudar, reporter ukrainas i vrarë pranë Mykolaivit, shënuan viktimat e para nga bota e medias. Këto u pasuan shpejt nga gazetari dhe regjisori amerikan, Brent Renaud, i qëlluar për vdekje në Irpin, ndërsa ishte në detyrë për revistën Time, kameramani i Fox News, Pierre Zakrzewski, producentja Oleksandra Kuvshynova dhe plagosja e kolegut të tyre, Benjamin Hall, janë kujtime të rrepta të rreziqeve akute me të cilat përballen gazetarët që raportojnë në terren, veçanërisht kur e bëjnë këtë në një konflikt në të cilin, teksa mund të lëvizin relativisht lirshëm, nuk ka vija të qarta të frontit dhe ku ushtarët nervozë ukrainas janë në gatishmëri të lartë për shkak të frikës nga diversantët rusë ose bombardimeve të papritura.

Gazetarët që vendosin të qëndrojnë në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës, dhe në hotelet që janë bërë bazat e tyre operacionale, mund të përballen me të njëjtat sfida që bashkëmoshatarët e tyre më të vjetër përjetuan gjetkë në hotelet e qyteteve të rrethuara, si Sarajeva, ose afër rënies si Phnom Penh: ekspozim i konsiderueshëm ndaj rrezikut, qasjes së kufizuar ose ndërprerja e ushqimit, ujit, energjisë elektrike, ngrohjes, internetit ose karburantit dhe asnjë nga komoditetet që zakonisht ofrojnë hotelet.

Përgatiti: Gent Mehmeti