Botë

Kina ripërsërit se mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo vendi

Descriptive Text

Kina respekton "sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve", u ka thënë gazetarëve në Pekin të premten, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Zhao Lijian, raporton CNN.

Lijian po fliste përpara një telefonate në orën 09:00 të mëngjesit të së premtes, sipas kohës lokale, midis presidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe presidentit kinez, Xi Jinping, që pritet të fokusohet në pushtimin rus të Ukrainës.

“Kina qëndron gjithmonë për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve, duke iu bindur qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së, duke i kushtuar rëndësi shqetësimeve legjitime të sigurisë të të gjitha vendeve, duke mbështetur të gjitha përpjekjet që kontribuojnë në zgjidhjen paqësore të krizës dhe promovimin e bisedimeve të paqes dhe lehtësimin e situatës humanitare”, ka thënë Lijian.

"Pozicioni i Kinës është i jashtëzakonshëm, i drejtë, objektiv dhe i padiskutueshëm”, ka shtuar ai.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Rusia i ka kërkuar Kinës mbështetje ushtarake dhe ekonomike për të zhvilluar luftën e saj të paprovokuar në Ukrainë, dhe se Pekini ka treguar gatishmërinë e tij për të ndihmuar Moskën. Si Rusia ashtu edhe Kina i kanë mohuar akuzat.

SHBA-ja ka deklaruar se Kina do të paguante një çmim ekonomik nëse mbështetja e saj për Rusinë shkon përtej retorikës.

Duke folur të premten, Lijian ka thënë se "disa njerëz në SHBA kanë përhapur dezinformata për të shpifur dhe për të bërë presion mbi Kinën”.

Sipas tij, Ukraina ka nevojë për ushqim dhe jo për armë, dhe se dërgimi i ndihmës ushtarake nga SHBA-ja në këtë shtet nuk do të sjellë paqe.