Botë

Blinkeni pajtohet me vlerësimin e Bidenit se Putini është kriminel lufte

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se pajtohet me cilësimet e presidentit Joe Biden, se presidenti rus, Vladimir Putin, është një kriminel lufte.

Sipas tij, nëse synohen civilët qëllimshëm, ky padyshim se është një krim lufte. Ai tha se bazuar në situatën e krijuar për tri javë, është e vështirë të thuhet se rusët nuk po kryejnë krime.

"Ata i shtuan bombardimet e tyre me qëllimin për të thyer vullnetin e popullit. Dje, Presidenti Biden tha se sipas mendimit të tij, krime lufte janë kryer në Ukrainë. Personalisht, jam dakord. Synimi i qëllimshëm i civilëve është një krim lufte. Në fund të fundit, shkatërrimi i tre javëve të fundit, e kam të vështirë të konkludoj se rusët po bëjnë ndryshe. Pasojat e luftës së Moskës po ndjehen në mbarë botën", ka thënë ai, raporton CNN-i të enjten.

Blinken ka shtuar se ekspertët amerikanë janë në procesin e dokumentimit dhe vlerësimit të krimeve të mundshme të luftës në Ukrainë.

"Ne do të sigurohemi që gjetjet tona të ndihmojnë përpjekjet ndërkombëtare për të hetuar krimet e luftës dhe për t'i mbajtur përgjegjësit përgjegjës", tha ai.