Botë

Navalny përballet edhe me 13 vjet të tjera burgim

Prokurorët rusë kanë kërkuar që kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny, të vuajë 13 vjet burg për akuzat e reja për mashtrim me të cilat po përballet.

Politikani i opozitës aktualisht po gjykohet nga burgu jashtë Moskës, ku ai tashmë po vuan një dënim prej dy vjet e gjysmë.

Navalny u burgos vitin e kaluar pasi i mbijetoi një sulmi me agjent nervor për të cilin fajëson qeverinë ruse, raporton BBC.

Në gjyqin e fundit, prokurorët kanë kërkuar që kritiku i Putinit të dërgohet në një burg "regjimi të rreptë", gjë që do të nënkuptonte kushte më të rënda se sa ai ndodhet aktualisht.

"Nuk mund t'i futësh të gjithë në burg. Edhe nëse kërkon 113 vjet, nuk do të më trembësh mua apo të tjerët si unë", tha Navalny në gjykatë, sipas ekipit të tij.