Botë

Viktimat “e padukshme” – dëshmia e të përdhunuarave nga ISIS-i

Umm Diya shtrëngon duart e saj e trazuar për të diskutuar diçka kaq të dhimbshme dhe për ta rrëfyer përsëri historinë e saj. Divane të vjetër dhe tepihë të hollë mbushin dhomën e kësaj strehimoreje në Irakun verior, e cila për momentin është vendbanimi i një numri të vogël të grave, të cilat mes viteve 2014-2017 ishin rrëmbyer, torturuar dhe përdhunuar nga pjesëtarët e ISIS-it, gjatë kohës kur ky grup kishte nën kontroll këtë zonë

Gratë jo-jazide, të cilat u rrëmbyen dhe u përdhunuan, thonë se janë refuzuar nga familjet e tyre dhe janë braktisur nga Qeveria.

Umm Diya shtrëngon duart e saj e trazuar për të diskutuar diçka kaq të dhimbshme dhe për ta rrëfyer përsëri historinë e saj. Divane të vjetër dhe tepihë të hollë mbushin dhomën e kësaj strehimoreje në Irakun verior, e cila për momentin është vendbanimi i një numri të vogël të grave, të cilat mes viteve 2014-2017 ishin rrëmbyer, torturuar dhe përdhunuar nga pjesëtarët e ISIS-it, gjatë kohës kur ky grup kishte nën kontroll këtë zonë.

Image

Shtëpia e torturave

Këto gra e quajnë veten viktima të padukshme të ISIS-it, sepse familjet dhe komunitetet e tyre i kanë refuzuar ato dhe i kanë përjashtuar nga Ligji i të Mbijetuarve Jazid, i cili u miratua nga Parlamenti i Irakut në mars të vitit 2021. Ky ligj njeh gjenocidet dhe krimet ndaj njerëzimit të kryera nga ISIS-i kundër minoriteteve jazid, të krishterë, turk dhe shabak dhe ndër të tjera ofron dëmshpërblime për gratë dhe vajzat që kanë përjetuar dhunë seksuale. Por gratë në këtë strehimore nuk i përkasin ndonjë minoriteti. Ato janë myslimane arabe të sektit shiit dhe sunit dhe ky ligj nuk zbatohet për to.

Edhe pse Umm Diya ishte rrëmbyer, abuzuar dhe sulmuar seksualisht nga pjesëtarët e ISIS-it dhe tani has në vështirësi për t’u përkujdesur për tre fëmijët e saj, 13, 10 dhe 7-vjeçar, ajo nuk merr asistencë sociale të parashikuar me ligj ku përfshihet paga mujore, një truall apo shtëpi dhe qasje në shërbime mjekësore.

“Na mbanin në një shtëpi bashkë më fëmijët e mi dhe gratë e tjera dhe tortura jonë filloi atje”, tregon ajo. Umm Diya thotë se ajo përgjërohej të mos i preknin fëmijët e saj, por ajo nuk mund t’i mbronte fëmijët nga pamjet e abuzimit që ajo dhe gratë e tjera përjetuan.

“Ata filluan të na zhveshin dhe të na rrahin. Ne ishim të lidhura nga këmbët në ventilator të tavanit dhe ata na rrihnin me shkopinj e kamxhik. Na fyenin me fjalët më abuzive duke na quajtur prostituta”. Ajo thotë se shumë burra morën pjesë në abuzim, duke rrahur dhe përdhunuar here njërën grua, herë tjetrën. “Ne po bërtisnim Allahu Ekber, por pavarësisht kësaj ata vazhdonin”, ka thënë ajo. Umm Diya mendon se vajza e saj ka nevojë për trajtim mjekësor, por ajo nuk mund të paguajë për të.

“Burri im më pështyu”

Ashtu si gratë e tjera në këtë strehimore, Umm Diya u mbijetoi abuzimeve të ISIS-it, por pastaj ajo u përball me abuzimin e mëtejshëm të familjes dhe fisit të saj. “Ata e kanë besimin se nëse je përdhunuar atëherë je grua e ISIS-it”, thotë një punonjëse, e cila ishte ulur afër Umm Diya gjatë rrëfimit të historisë së saj ashtu që prezenca e një gruaje tjetër ndoshta do ta bënte të ndihej më rehat.

Kur Umm Diya u pyet nëse kishte pranuar ndihmë nga gratë në fisin e saj, ajo ngurroi të fliste. Ajo tregon se kur udhëheqësi i fisit të saj e kishte shpallur si “një objekt turpi”, të afërmit dhe madje edhe miqtë e saj të fëmijërisë e braktisën atë. “Burri im më pështyu dhe bashkë me vëllain tim filluan të më rrahin. Më rrahën aq keq saqë iu desh të më dërgonin te mjeku”, tregon ajo.

“Burri më la. ‘Më vjen turp nga ti dhe nuk të dua më’ - kishte thënë ai. Ai na la vetëm”. Në këtë mënyrë Umm Diya dhe fëmijët e saj përfunduan në strehimore, e cila ka ndihmuar 14 gra që prej hapjes së saj vitin e kaluar. Disa gra e kanë lënë strehimoren pasi kishin marrë garanci me shkrim nga udhëheqësit e fiseve të tyre se ato nuk do të cenoheshin. Të tjerat janë kthyer në shtëpi, pasi burrat e tyre janë martuar përsëri dhe ato punojnë si shërbëtore në mënyrë që të jenë afër fëmijëve të tyre.

“Nderi, ironikisht, përdoret si pretekst nga fiset dhe shoqëria e gjerë pasi ata në mënyrë të pandershme abuzojnë me motrat, gratë madje edhe me vajzat e tyre”, ka thënë Yanar Mohammed, Presidentja e Organizatës për Lirinë e Grave - organizatë joqeveritare e cila udhëheq strehimoret, duke përfshirë edhe këtë strehimore në të cilën strehohen jazidët dhe të mbijetuarit e tjerë të krimeve të ISIS-it.

“Jetesa në hije”

Ndihma që Yanar dhe ekipi i saj vullnetar i ofron grave duhet të jepet në mënyrë të fshehtë për shkak të kërcënimeve me të cilat këta të mbijetuar përballen në familjet dhe komunitetet e tyre. Të gjitha gratë me të cilat ata punojnë përballen me sfida shoqërore, thotë ajo. Por derisa krimet e kryera nga ISIS-i kundër grave jazide njihen gjerësisht brenda dhe jashtë Irakut, ajo thotë se viktimat jo-jazide janë injoruar dhe braktisur.

“Gratë myslimane arabe të cilat ishin robëruar nga ISIS-i nuk kanë vend ku të kthehen, ato ende jetojnë në hije të shoqërisë duke mos u pranuar dhe respektuar nga askush”, sqaron Yanar. Shumica prej tyre nuk i kanë treguar askujt për gjërat që ato kanë përjetuar. “Ato jetuan me dhimbje ose vdiqën me dhimbje. Shumë prej tyre përfunduan si trupa të varrosur në oborrin e luftëtarëve të ISIS-it”.

Ajo vlerëson se jo më pak se 10 mijë gra ishin viktima të ISIS-it, por thotë se kjo nuk është “pranuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe nuk është trajtuar në një mënyrë që ruan dinjitetin, respektin ose siguron kompensimin për shumicën e viktimave”. Më shumë se 6 mijë gra dhe fëmijë jazidë mendohen të jenë rrëmbyer dhe skllavëruar nga ISIS-i, mirëpo numri i grave dhe i fëmijëve jo-jazidë nuk dihet.

“Gratë që rezistuan u vriten dhe u hodhën në bunar”

Çdo grua dhe vajzë në strehimore ka një histori tragjike të dhunës dhe braktisjes. Hazeen është 16-vjeçare. Ajo ishte fëmijë kur ISIS-i e mori atë dhe nënën e saj. “Jeta ime u shkatërrua. Një ditë ata erdhën dhe na treguan se kishin vrarë babanë tim”, thotë ajo. Burrat të cilët e kishin mbajtur peng ishin përpjekur ta martonin atë me një luftëtar të ISIS-it, por nëna e saj kishte refuzuar dhe u kishte thënë atyre: “Bëni çfarë të doni me mua, por lëreni vajzën time të qetë”.

“Ata përdhunuan nënën në praninë time dhe pastaj më përdhunuan mua në prani të saj”, rrëfen Hazeen, ndërsa nëna e cila ishte ulur afër saj filloi të qante. “Gratë e tjera të kapura nga ISIS-i ishin të gjitha myslimane të sektit sunit. Me qindra ishin abuzuar fizikisht, ndërsa ato që rezistuan u vranë dhe u hodhën në bunar. Gjëja më e rëndë që kam parë të hedhin në bunar ishte një fëmijë në pelena”, shtoi ajo duke fshirë lotët derisa gratë e tjera në dhomë mundoheshin ta ngushëllojnë.

Yanar thotë se ajo dhe ekipi i saj kanë regjistruar qindra dëshmi nga gratë jazide dhe jo-jazide për abuzimin që kanë përjetuar, porse sfidat shoqërore dhe apatia e qeverisë çojnë në mosveprim. “Sfida jonë kryesore është se Ligji për të mbijetuarit jazidë, i cili përcakton se si dëmshpërblimet nga Qeveria funksionojnë dhe kompensojnë viktimat, nuk është gjithëpërfshirës. Ata që u skllavëruan dhe abuzuan meritojnë po aq të drejta. Nuk e dimë se cila është arsyeja për këtë. A është për shkak se komuniteti nuk e rikthen dinjitetin e këtyre grave? Apo është për shkak se qeveria është nën një presion sektar dhe nuk dëshiron të pranojë se këto gra janë skllavëruar nga ISIS-i”, pyet ajo. “Ka shumë punë që duhet bërë nga komuniteti ndërkombëtar, në mënyrë që Qeveria t'i trajtojë të gjithë këta të mbijetuar si robër lufte”, shton Yanar.

Umm Diya akuzon qeverinë se ka strehuar disa gra që kanë qenë pjesë e ISIS-it, vetëm sepse kanë marrë miratimin e liderëve të fiseve të tyre. “Al-Jazeera” nuk ka mundur ta mbështesë rrëfimin e Umm Diyas, por ajo ngriti një çështje në gjykatë, e cila përfshinte dëshmi të dëshmitarëve.

“U tregova se isha përdhunuar nga militantët e ISIS-it dhe që nga viti 2017 e deri më tani nuk kam marrë asgjë, asnjë dëmshpërblim. Askujt nuk i intereson”, ka thënë ajo.

Përktheu: Marigona Avdimetaj