Botë

Arrestohet polaku që dyshohet se dhunoi një ukrainase duke i premtuar strehim

Polaku "përdhunoi adoleshenten që u largua nga Ukraina pasi e joshi në shtëpinë e tij me oferta strehimi"

Një burrë është arrestuar në Poloni pasi dyshohet për përdhunimin e një gruaje 19-vjeçare, të cilën e joshi në shtëpinë e tij përmes internetit, me oferta strehimi pasi ajo u largua nga Ukraina.

Në një incident që ka nxitur frikën në rritje rreth trafikimit të njerëzve dhe shfrytëzimit seksual si rezultat i pushtimit rus, policia në Wroclaw ka thënë se kishte arrestuar të dyshuarin 49-vjeçar me akuza për përdhunim.

Ai mund të përballet me 12 vjet burg për "krimin brutal", thanë autoritetet.

“Ai u takua me vajzën duke i ofruar ndihmën e tij nëpërmjet internetit. Ajo u arratis nga Ukraina e shkatërruar nga lufta, nuk fliste polonisht. Ajo i besoi një burri që i premtoi se do ta ndihmonte dhe ta strehonte. Fatkeqësisht, e gjithë kjo doli të ishte manipulim mashtrues”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Në një rast tjetër të raportuar në Poloni, shtet ky i cili ka marrë rreth 1.5 milionë refugjatë nga Ukraina fqinje, një burrë u dëgjua duke premtuar punë dhe një dhomë për një vajzë 16-vjeçare përpara se autoritetet të ndërhynin.

Dhe një histori e veçantë nga një kamp refugjatësh në kufirin Medyka të Polonisë, doli pasi u ngritën dyshimet kur një burrë po ofronte ndihmë vetëm për gratë dhe fëmijët.

Derisa miliona gra dhe fëmijë ikin përtej kufijve të Ukrainës përballë agresionit rus, shqetësimet po rriten se si të mbrohen refugjatët që të mos shënjestrohen nga trafikantët e qenieve njerëzore ose të bëhen viktima të formave të tjera të shfrytëzimit.

"Natyrisht të gjithë refugjatët janë gra dhe fëmijë”, ka thënë Joung-ah Ghedini-Williams, kreu i UNHCR-së për komunikimet globale, i cili ka vizituar kufijtë në Rumani, Poloni dhe Moldavi.

Agjencia e OKB-së për refugjatët ka bërë të ditur se më shumë se 2.5 milionë njerëz, duke përfshirë më shumë se një milion fëmijë, janë larguar tashmë nga Ukraina e shkatërruar nga lufta.