Botë

Scholz: S’do të ketë procedurë të shpejtë për anëtarësimin e Ukrainës në BE

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë të enjten se ai kundërshton një procedurë të shpejtë për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

"Është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të ndjekim gjërat që kemi vendosur në të kaluarën," u tha Scholz gazetarëve të enjten përpara një samiti të BE-së në Versajë të Francës.

Scholz iu referua marrëveshjes së asociimit që BE-ja dhe Ukraina arritën në vitin 2017 që synon thellimin e lidhjeve politike dhe ekonomike.

"Ky është kursi që duhet të ndjekim”, ka thënë Scholz.

Udhëheqësi gjerman ka thënë po ashtu se me 27 shtete anëtare në BE, tashmë është e vështirë të merren vendime unanime në BE për çështje të tilla si politika e jashtme, ekonomike dhe financiare.

Ai po ashtu ka theksuar se BE-ja duhet të vazhdojë të zhvillohet në perspektivë "kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve të shumicës të mundshme".