Botë

CNN: Dy javë luftë zbuluan të çarat në planin e Putinit për Ukrainën

Descriptive Text

Dy javë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nisi pushtimin e Ukrainës, “sulmet e sakta” të Rusisë po bëhen dukshëm më pak të sakta dhe forcave të saja territoriale po u duhet shumë punë për të marrë territor.

Me të nisur ofensiva, disa zyrtarë amerikanë kishin parashikuar se kryeqendra Kievi do të binte në duar të rusëve brenda 48 apo 72 orëve. Mirëpo flamuri kaltër e verdhë i Ukrainës ende qëndron nëpër ndërtesa.

Kishte fjalë për “prerje të kokës” të shtetit ukrainas. Por presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po qëndron stoikisht.

Nëse, siç pohoi Putini, Ukraina nuk do të ishte një shtet i vërtetë, atëherë sigurisht do të ishte shembur deri tash. Por edhe me 150 mijë trupa ruse brenda kufijve të saj, sipas disa përllogaritjeve të SHBA-së, trupat ruse kontrollojnë më së shumti 10 për qind të Ukrainës.

Po të pyesje në Ukrainë tri javë para pushtimit, arrije në konstatim se shumë njerëz nuk besonin se do të ketë luftë.

“Ne jemi të sigurt se nuk do të ketë luftë”, ishte refreni në Mariupol, Zaporizhzhia dhe Kiev.

Qeveria ukrainase po ashtu kishte minimizuar grumbullimin e forcave ruse rreth kufijve të saj, më tepër për të mos futur në panik qytetarët e saj dhe tregjet.

Më pas, më 24 shkurt, brenda natës, mohimi u shndërrua në sfidë.

Tash fraza është: “Po shkoj në luftë, është toka ime”.

Mbrojtje serioze dhe postblloqe të shumta janë ngritur rreth Kievit.

Forcat ukrainase – për befasi të shumëkujt – kanë qenë të shkathëta dhe efikase kundër armatës ruse që ka luftuar për të bërë përparim. Njësi të vogla e të lëvizshme që e njohin territorin mjaft mirë kanë prerë rrugën e konvojeve ruse. Armët antitank të marra kryesisht nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë qenë shumë efikase në shkatërrimin e tankeve ruse. Dronët e prodhimit turk janë përkujdesur për sulme të sakta nga ajri.

Në ato pak zona të pushtuara nga forcat ruse – edhe ato që janë kryesisht rusëfolëse – turma prej qindra qytetarësh kanë sulmuar ushtarët rusë dhe kanë fyer. Ata kanë ndërtuar male me goma për të mbrojtur qytetet e tyre.

Jo se ukrainasit kanë avantazhin. Ata nuk mund ta mposhtin një forcë jashtëzakonisht superiore siç është Rusia, por dëshmitë e deritashme lënë të kuptohet – se të fortifikuar me armë dhe ndihma të tjera që po vijnë nga matanë kufirit me Poloninë – ata ende mund t’ia mohojnë Putinit një fitore.

Image

Dy javë të gjata

Një kryeministër britanik dikur kishte thënë se një javë është kohë e gjatë në politikë. Por dy javë të këtij konflikti duken si një përjetësi, sa i përket mënyrës se si është ndryshuar bota.

Katër të rinj ukrainas panë tmerr gjatë orëve të para të 24 shkurtit, ndërsa Putini në fjalimin e tij po njoftonte për një “operacion special ushtarak”. Fjalimi u transmetua në televizionin rus. Ata po imagjinonin se liritë që i kishin fituar ishin pranë të shtypeshin.

Pak minuta më vonë, qielli u ndriçua, ndërsa raketat balistike ruse goditën aeroportin Boryspil në periferi të Kievit. Forcat ruse marshuan në Ukrainë, nga Krimea, Bjellorusia dhe nga perëndimi i Rusisë.

E më pas, kolona e trupave ruse prej afro 65 kilometrave që hyri nga Bjellorusia mbeti pa lëvizur, duke mos shkuar askund. Mbrojtja ajrore e Ukrainës bëri një punë më të mirë sesa që pritej, duke ndaluar goditjet e raketave ruse e po ashtu duke rrëzuar aeroplanë luftarakë rusë.

E më me rëndësi, përpjekjet ruse për të kapur urat në veri dhe jug të Kievit në ditët e para dështuan.

Edhe në jug të Ukrainës, ku njësitet ruse u përballën me më pak rezistencë, ende nuk kanë arritur forcat ruse të marrin portin e Mariupolit, që është vetëm gjysmë ore rrugë nga kufiri Ukrainë – Rusi.

Duke shpjeguar pushtimin e tij, Putini tha se Ukraina përndryshe do të bëhej platformë e Perëndimit për të pushtuar dhe shkatërruar Rusinë.

Ai mund të ketë bërë llogaritjet gabim në tentimin e tij për të gëlltitur një shtet, duke pretenduar në fjalimin e tij se Ukraina nuk kishte të drejtë për të ekzistuar.

“Duke hyrë në këtë bixhoz të jashtëzakonshëm, ai duket se nuk ka arritur të kujtojë ngjarjet që ishin pikënisja e përfundimit të Perandorisë së Rusisë”, shkruan Liana Fix dhe Michael Kimmage në Foreign Affaris.

“Cari i fundit rus, Nikolla II, humbi një luftë kundër Japonisë në vitin 1905. Ai më vonë ra viktimë e Revolucionit Bolshevik, duke e humbur jo vetëm kurorën e tij, por edhe jetën e tij. Mësimi: sundimtarët autokratë nuk mund të humbasin luftërat dhe të mbeten autokratë”.

Ndoshta i trimëruar nga reagimi i zbehtë i Perëndimit në lidhje me aneksimin e Krimesë në vitin 2014, Putini kishte nënvlerësuar efektin që do të kishte zgjedhja e tij për luftë.

NATO në vete rrallë është dukur kaq e përqendruar dhe është shumë larg nga ajo që e karakterizoi aleancën kur ishte Donald Trump president i SHBA-së.

Kamionë me armë antitankë janë nisur drejt kufirit të Ukrainës.

Përpara këtij pushtimi, ndërsa po debatohej për sanksione kundër Rusisë, pakkush ka mundur të ëndërronte që mund të largoheshin institucionet ruse nga sistemi ndërkombëtar bankar, që të sekuestroheshin asetet e oligarkëve rusë apo edhe që të reduktohej importi i naftës dhe i gazit rus. E po ashtu të ndalohej gazsjellësi “Nord Stream 2”. Të gjitha këto tash kanë ndodhur.

Një kompani pas tjetrës, nga McDonaldsi te Zara e tek Apple, u tërhoqën nga Rusia, duke i privuar rusët nga mallrat që i kanë dashuruar që nga fundi i komunizmit.

Rublës ruse i ka rënë gati gjysma e vlerës që e kishte në mesin e shkurtit.

Pos në fushëbetejë, Kremlini ka marrë goditje edhe nga opinioni publik – jo se kjo e ka shqetësuar Putinin.

Volodymyr Zelensky, një komedian i kthyer në president të Ukrainës, është ngritur në nivel të sfidës me të cilën po përballet. Ai ka pasur kërkesë të drejtpërdrejtë që Ukraina të bëhet zonë ku ndalohet fluturimi.

Ndërsa u përhapën spekulimet rreth mënyrës se si Zelensky mund të evakuohej nga Ukraina, ai tha se ka nevojë për municion e jo për një transport.

Ai regjistroi një videomesazh nga Pallati Presidencial, duke thënë se nuk do të fshihet.

Zelensky – dhe qëndrueshmëria e Ukrainës përballë sfidës aq të madhe – kanë siguruar një pajtim në të gjithë botën. Stadiumet e futbollit nëpër Evropë janë mbuluar me ngjyra të flamurit të Ukrainës, Kulla e Ajfellit është ndriçuar me ngjyra kaltër e verdhë. Mesazhet thuajse të pafundme me video të Zelenskyt kanë nxjerrë turma të qytetarëve nëpër rrugët nga Praga e Tbilisi dhe kanë siguruar ovacione në parlamentet britanike e evropiane.

Në anën tjetër, Putini duket i izoluar, duke u përplasur me vartësit, po regjistron fjalime të zhurmshme apo po e rrethon veten me stjuardesa të Aeroflotit.

Pyetja tash është nëse një udhëheqës i tërbuar rus, pavarësisht se pohon se operacioni po shkon sipas planit, do ta dyfishojë arsenalin e madh që ka në dispozicion: raketa balistike, sisteme raketore shkatërruese dhe bomba termobarike. A do ta kthejë ai Kievin në një tjetër Grozny, kryeqytetin çeçen që e rrafshoi me tokë gjatë vitit të tij të parë në pushtet?

Image

Bisedimet në Turqi mund të japin të dhënat e para për një alternativë tjetër

Drejtori i CIA-s, William Burns, vlerësoi të martën se Putini është “i vendosur të dominojë dhe të kontrollojë Ukrainën” dhe parashikoi “javë të ardhshme të shëmtuara”, ku pritet të mos ketë konsideratë për viktima civile përballë një kundërshtimi nga populli ukrainas.

Bisedimet e së enjtes në Turqi mes ministrave të jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë mund të na japin të dhënat e para nëse ka një alternativë ndaj atyre javëve të shëmtuara.

Kremlini ka kërkuar që Ukraina ta njohë sovranitetin rus në Krimenë e aneksuar në vitin 2014, si dhe pavarësinë e Donetzkut dhe Luhanskut, dy rajone separatiste në Ukrainë, të cilat i ka njohur Rusia si shtete të pavarura.

Ukraina ka thënë jo, megjithëse Zelensky, tani duket se e pranon që ëndrra e Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s, mund të jetë edhe më e largët sesa që ishte më parë.

Nga ana e saj, Moska duket se ka hequr dorë nga kërkesa e saj për atë që e ka quajtur denazifikimin dhe demilitarizim të Ukrainës, një frazeologji absurde që përdori për qëllimin për ta ndërruar regjimin në Ukrainë.

Ndërkohë, vuajtjet e përditshme të civilëve ukrainas po vazhdojnë. Disa vriten në sulmet me raketa që rrafshojnë ndërtesat e banimit, të tjerët janë kapur nga ato sulme me artileri. Numri është tashmë në qindra, por nuk ka asnjë shifër zyrtare.

Mbi 2 milionë janë larguar nga Ukraina – shumica gra e fëmijë. Nëse kthehen dhe kur kthehen a do të gjejnë qytete si Kharkiv, Sumy, Mariupol e Chernihiv, mbetet e panjohur.

Në mungesë të disa përparimeve në ditët në vijim, një listë shumë më e gjatë e qyteteve të pushtuara, por edhe qytetarëve të larguar është e pashmangshme.