Botë

Vullnetarët gati për luftë fytafyt me rusët

Në ditët e tij në ushtrinë sovjetike, Gonchruk i shihte rusët si vëllezër. Mirëpo tani kjo ka ndryshuar. “Kushdo që vjen në territorin tonë është armik. Askush nuk i ka ftuar këtu”, thotë ai. “Ndoshta ka njerëz të mirë mes tyre, por kjo nuk ka rëndësi për mua. Ata kanë ardhur ta vrasin popullin tim”

Andrey Gonchruk kishte shërbyer krahas ushtarëve rusë, të cilët i kishte quajtur vëllezër në kohën kur Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Por të mërkurën, 68-vjeçari me njërën dorë fshinte lotët e tij, teksa në tjetrën mbante një armë për të rezistuar pushtimin e vendit të tij.

“Kjo është një ‘luftë rrufe’”, thotë Gonchruk. Ai qëndroi në rrënojat e një shtëpie të saposhkatërruar nga një sulm ajror rus në Gorenka, fshat në periferi të kryeqytetit të Ukrainës. Pensionisti mjekërbardhë është një nga dhjetëra mijëra ukrainas që kanë dalë vullnetarë për të mbrojtur atdheun e tyre nga Rusia.

Ai dhe djali i tij, Kostya, u armatosën pas pushtimit të javës së kaluar dhe së bashku ata patrullojnë fshatin. Midis atyre që patrullonin ishte edhe Pjotr Vyerko, 81-vjeçar, mësues i frëngjishtes që humbi gruan e tij, Lidya, nga kanceri i lëkurës nga katastrofa bërthamore e Çernobilit.

Vyerko thotë se është i përgatitur të përdorë pushkën për të qëlluar pushtuesit për të mbrojtur vajzën dhe nipin e tij. Por ai gjithashtu ka menduar se çfarë do të bënte pa armën e tij të zjarrit. “Nëse ata vijnë këtu, unë do t'i godas me tërfurk nëse nuk kam armë, por kam armë”, thotë ai.

Image

Edhe këta luftëtarë vullnetarë kanë përjetuar dhimbjen e humbjes. Banorët thonë se të paktën dy persona nga Gorenka janë vrarë në ofensivën njëjavore të Rusisë dhe një duzinë janë plagosur. Disa shtëpi u shkatërruan të mërkurën. Gratë qëndronin në gërmadha dhe qanin.

"Shumë gjëra janë shkatërruar", tha Gonchruk. "Por njerëzit këtu po mbahen mirë". Shumë burra në fshat, sikurse ai, kanë përvojë ushtarake. Ushtria e Ukrainës ka shpërndarë armë për këdo që dëshiron të mbrojë vendin dhe ka pozicionuar mijëra rezervistë. Në të gjithë Kievin, civilët me xhinse dhe pallto dimërore, të cilët kanë vendosur shirita të verdhë në krahë, struken pas pirgjeve të gomave te pikat e kontrollit ose bëjnë rojë në qoshet e rrugëve. Ata janë më të shumtë në numër, por "ne do të përpiqemi të marrim më shumë armë", tha Gonchruk. “Ne do të furnizohemi vetë. Do ta vrasim armikun dhe do t'ia marrim armët”, shtoi ai.

“Vëllezërit” vrasës

Në ditët e tij në ushtrinë sovjetike, Gonchruk i shihte rusët si vëllezër. Mirëpo tani kjo ka ndryshuar. “Kushdo që vjen në territorin tonë është armik. Askush nuk i ka ftuar këtu”, thotë ai. “Ndoshta ka njerëz të mirë mes tyre, por kjo nuk ka rëndësi për mua. Ata kanë ardhur ta vrasin popullin tim”.

Gonchruk është tronditur nga pushtimi i Moskës. Ai kishte supozuar se Rusia do të merrte territoret separatiste në Ukrainën lindore, por ai kurrë nuk e priste ofensivën e shkallës së plotë që ka goditur në zemër të qyteteve si Kharkiv dhe ka bërë që qindra mijëra njerëz të ikin përtej kufijve.

Të tjerët gjejnë strehim në strehimoret e bombave, të zemëruar ndaj Rusisë. “Nuk kemi nevojë të lirohemi. Na lini të qetë”, tha një tjetër banore e Gorenkës, Larissa Lipatova, e cila u strehua në një bodrum gjatë sulmit të së mërkurës dhe u struk nën një batanije mes kontejnerëve me turshi dhe reçel.

Si një veteran dhe pavarësisht rrënojave nën këmbët e tij, Gonchruk ishte krenar për pengesat me të cilat rusët ishin përballur gjatë javës që nga pushtimi i tyre derisa ukrainasit rezistojnë. "Ata menduan se mund të vinin këtu dhe brenda një ose dy ditësh të marrin Kievin, por shikoni se si po ia dalin deri tani!" ka thënë ai.

Diku tjetër në periferi të kryeqytetit, një tjetër luftëtar vullnetar i ndihmoi njerëzit të kalonin një urë të shkatërruar gjatë rrugës për në qytet. Me armë të vendosur në gjoksin e tij, burri mbajti dorën e një djali të vogël, i cili ia dha atij një buzëqeshje.

Të tjerët, një nga një, me lëvizje të ngulshme e të kujdesshme kaluan lumin mbi një tub. Vendësit thanë se ura u shkatërrua për t’i penguar rusët.

Disa banorë të rraskapitur të Kievit festuan edhe fitoren më të vogël. Njëra, e cila tha vetëm emrin e saj, Roza, tregoi sendet ushqimore të sapoblera. "Ka gjithçka: banane, gjalpë, madje edhe një kifle të freskët", tha ajo. Ashtu si Gonchruk, në vend të ikjes ajo kishte vendosur të qëndronte. “Ne po vrapojmë në bodrum, duke u dridhur nga frika dhe shqetësimi, por ne besojmë në fitore”, ka thënë ajo.

Përktheu: Marigona Avdimetaj