Botë

Ish-presidenti pro-rus i Ukrainës bën fajtor Zelenskyn për luftën

Ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, ka ftuar presidentin aktual, Volodymyr Zelensky, që të ndalë luftën me Rusinë.

Politikani pro-rus, që u rrëzua nga pushteti më 2014 pas protestave disa-javore të demonstruesve pro-perëndimorë, në një deklaratë për agjencinë ruse “Ria Novosti”, ka thënë se Zelenskyy është përgjegjës për atë që po ngjan në Ukrainë.

"Ju jeni personalisht i detyruar të ndaloni gjakderdhjen dhe të arrini një marrëveshje paqeje me çdo kusht. Kjo është ajo që Ukraina, Donbasi dhe Rusia presin nga ju", tha në një prorosi Yanukovych të transmetuar nga “RIA Novosti” të martën, përcjellin mediat serbe.

Politikani 71 vjeç, i dënuar në Ukrainë më 13 vjet burgim për tradhti kombëtare, vlerësohet i korruptuar dhe jeton në Rusi që nga rrëzimi i tij prej pushtetit.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, “pa arsye dhe pa provokim”.