Botë

Ushtarët e demoralizuar rusë shprehin zemërimin pasi u mashtruan për të filluar luftën

Pesë ushtarë rusë ulen në një ndërtesë me tulla. Ata janë me sy të lidhur: të burgosurit e fundit që janë kapur brenda Ukrainës, shkruan The Guardian. Një zë ukrainas i merr në pyetje. "Fol", i thotë ai ushtarit rus të grupit. Çfarë mesazhi do të dëshironte t'u dërgonte ushtarëve të tij dhe rusëve të kthyer në shtëpi?

"Të them të drejtën, ata na mashtruan", përgjigjet ushtari, duke iu referuar eprorëve të tij ushtarakë në Moskë. “Gjithçka që na thanë ishte e rreme. Unë do t'u thoja djemve të mi të largoheshin nga territori ukrainas. Kemi familje dhe fëmijë. Unë mendoj se 90% prej nesh do të pranonin të shkonin në shtëpi”.

Ushtarët janë dukshëm të frikësuar. E megjithatë ka shumë intervista të ngjashme me robër rusë që kanë qarkulluar në kanalet e mediave sociale ukrainase, duke shprehur ndjenja të ngjashme.

I pyetur se çfarë do t'u thoshte komandantëve të tij, njëri tha troç: "Ata janë pedera". Një frazë tjetër e përdorur shpesh është oni obmanuli nas: na mashtruan. Tetë ditë pasi filloi pushtimi i Vladimir Putinit është e qartë se një numër i konsiderueshëm i ushtarakëve të tij janë të demoralizuar dhe hezitojnë të luftojnë. Disa e kanë dorëzuar veten.

Të tjerë kanë braktisur automjetet e tyre dhe janë nisur drejt kufirit rus në këmbë, duke mbajtur armët dhe çantat e tyre, tregojnë disa video. Këto episode nuk do të thotë se Kremlini do të dështojë në përpjekjet e tij për të pushtuar Ukrainën, pasi taktikat e tij kalojnë në granatimet brutale të civilëve.

Por morali i ulët në mesin e trupave pushtuese mund të jetë një arsye pse plani i Rusisë për të mposhtur Ukrainën duket se nuk ka përparuar me shpejtësinë që do të kishte dashur Putini. Supozimi në Moskë ishte se operacioni do të ishte i shpejtë dhe i suksesshëm. Ushtarëve iu dhanë ushqime dhe karburant për vetëm dy ose tre ditë, sugjerojnë videot.

Kremlini gjithashtu duket se kishte një ide krejtësisht fantastike për pritjen që do të merrnin. Disa të burgosur lufte thanë se u siguruan se ukrainasit do t'i mirëpresin si çlirimtarë. Forcat ruse prisnin lule dhe brohoritje, jo plumba dhe bomba, thanë ata.

“Disa nga ata menduan se ishin në stërvitje ushtarake. Ata nuk e pritën rezistencën”, ka thënë Artem Mazhulin, mësues i anglishtes nga Kharkivi. “Shumë prej rekrutëve janë të lindur më 2002-2003. Po flasim për 19-20-vjeçarë”.

Shtoi: “Që nga 2014-a qeveria ruse ka shpërlarë trurin e popullatës me propagandë. Ata tentojnë ta bëjnë Rusinë të besojë se Ukraina nuk është shtet i vërtetë dhe thonë se fashistët e kanë kapur atë”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë në një video se: Putini i ka dërguar forcat pushtuese në Ukrainë pa mision të kuptueshëm. “Ata janë të demoralizuar”, ka thënë ai duke u bërë thirrje që të kthehen në shtëpi.

Alex Kovzhun, ish-këshilltar i ish-kryeministrit ukrainas Yulia Tymoshenko, ka thënë se ushtarët rusë ndahen në dy lloje: “Janë rekrutët e rinj të cilët janë të tmerruar deri në palcë. Dhe janë të tjerët ushtarë karriere që kanë luftuar në Siri dhe Donbas”.

Në video të tjera të shpërndara nga ushtarë ukrainas shihen ushtarët rusë të cilët flasin me nënat e tyre në Rusi të cilat nuk e kanë idenë se djemtë e tyre po luftojnë në Ukrainë.

Ekziston ndjesia se shumë ushtarë rusë janë penduar që kanë shkuar në Ukrainë. Një ukrainas pyet të burgosurin: “A ia ka vlejtur?”

I burgosuri rus përgjigjet: “Jo”.