Botë

Finlanda neutrale, Suedia e “nxehtë” për të hyrë në NATO

Përgjatë Luftës së Ftohtë dhe dekadave që pasuan, asgjë nuk mund t'i bindte finlandezët dhe suedezët se do të ishte më mirë të anëtarësoheshin në NATO. Të paktën jo deri më tani.

Mirëpo, pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar thellësisht perspektivën e sigurisë së Evropës, duke përfshirë këtu neutralët nordikë Finlandën dhe Suedinë, ku mbështetja për anëtarësimin në NATO është rritur në nivele rekord.

Një sondazh i porositur nga transmetuesi finlandez YLE këtë javë, tregoi se për herë të parë, më shumë se 50% e finlandezëve mbështesin bashkimin me aleancën ushtarake perëndimore. Në Suedinë fqinje, një sondazh i ngjashëm tregoi se ata që ishin në favor të anëtarësimit në NATO janë më të shumtë se ata kundër.

“E pamendueshmja mund të fillojë të bëhet e mendueshme”, shkroi në Twitter ish-kryeministri suedez Carl Bildt, një ithtar i anëtarësimit në NATO.

Asnjë vend nuk mund t’i bashkohet aleancës brenda natës. Mbështetja për anëtarësimin në NATO rritet dhe bie, dhe nuk ka një shumicë të qartë për t'u bashkuar në parlamentet e tyre. Por shenjat e ndryshimit që kur Rusia filloi pushtimin e saj javën e kaluar në Ukrainë, janë të pagabueshme.

Sulmi ndaj Ukrainës bëri që Finlanda dhe Suedia të thyenin politikën e tyre për të mos ofruar armë për vendet në luftë duke dërguar pushkë sulmi dhe armë antitank në Kiev. Për Suedinë, është hera e parë që ofron ndihmë ushtarake që nga viti 1939, kur ajo ndihmoi Finlandën kundër Bashkimit Sovjetik.

Me sa duket duke ndjerë një ndryshim në mesin e fqinjëve të saj nordikë, Ministria e Jashtme ruse javën e kaluar shprehu shqetësimin rreth asaj që i përshkroi si përpjekje të Shteteve të Bashkuara dhe disa prej aleatëve të saj për të "tërhequr" Finlandën dhe Suedinë në NATO dhe paralajmëroi se Moska do të detyrohej të pranonte masat hakmarrëse nëse ato i bashkoheshin aleancës.

Mirëpo, Qeveritë e Suedisë dhe Finlandës u përgjigjën se nuk do ta lënë Moskën të diktojë politikën e tyre të sigurisë.

“Dua të jem jashtëzakonisht e qartë: Suedia është ajo që vendos vetë dhe në mënyrë të pavarur për linjën tonë të politikës së sigurisë”, ka thënë kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson.

Finlanda ka një histori të mbushur me konflikte me Rusinë, me të cilën ndan një kufi prej 1,340 kilometrash. Finlandezët kanë marrë pjesë në dhjetëra luftëra kundër fqinjit të tyre lindor, për shekuj me radhë si pjesë e Mbretërisë suedeze dhe si një komb i pavarur, duke përfshirë dy të luftëra me Bashkimin Sovjetik nga vitet 1939-40 dhe 1941-44.

Suedia i ka shmangur aleancat ushtarake për më shumë se 200 vjet, duke zgjedhur një rrugë paqeje pas shekujsh lufte me fqinjët e saj.

Të dy vendet i dhanë fund neutralitetit tradicional duke u anëtarësuar në Bashkimin Evropian në vitin 1995 dhe duke thelluar bashkëpunimin me NATO-n. Megjithatë, shumica e njerëzve në të dy vendet mbetën me vendosmëri kundër anëtarësimit të plotë në aleancë – deri më tani.

Sondazhi i YLE tregoi se 53% ishin në favor të anëtarësimit të Finlandës në NATO, me vetëm 28% kundër. Sondazhi kishte një diferencë gabimi prej 2,5 pikë përqind dhe përfshiu 1,382 të anketuar të intervistuar nga 23 deri në 25 shkurt.

Pushtimi i Rusisë ka filluar më 24 shkurt.