Botë

Hungaria e hapur të organizojë bisedimet Rusi – Ukrainë

Descriptive Text

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka ripërsëritur se shteti i tij është i gatshëm të organizojë bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.

Duke folur për BBC-në në kufirin Hungari – Ukrainë, Orban ka thënë se përgjegjësia për t’i dhënë fund luftës qëndron mbi të gjitha në palën ruse.

Në të kaluarën, Orban ka pasur marrëdhënie të ngushtë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke u takuar 11 herë në vitin e fundit. Së fundi u takua në Moskë një muaj më parë.

Këtë mëngjes, derisa ka vizituar qendrën e refugjatëve në Beregsurany, Orban është pyetur se cili është mesazhi i tij për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe atë të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Nuk kam mesazh për askënd. Kam mesazh vetëm për refugjatët që janë këtu. Hungaria është mik i mirë i Ukrainës dhe ukrainasve, nëse kanë nevojë për ndihmë këtu, mund të llogarisin te ne. Të dy janë të rritur dhe e dinë më mirë se unë çfarë duhet të bëjnë. Ajo që do hungarezi, e nuk është këshillë, e as mesazh, thjeshtë urim nga zemra: paqe, paqe, paqe”, tha Orban.

Qeveria e Hungarisë ka ofruar Budapestin si vend për bisedimet e ardhshme për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Lufta mund të ndalet vetëm me negociata, dhe bisedime të paqes e armëpushim”, tha Orban.