Botë

Të lexosh Putinin: I shpërqendruar, apo pre e tmerrshme e frikës së Perëndimit?

Një ndihmës i presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili foli me Putinin të hënën, tha se lideri rus iu përgjigj Makronit “pa treguar irritim, në një mënyrë shumë klinike dhe të vendosur”. “Mund të shohim se me gjendjen mendore të presidentit Putin është një rrezik i përshkallëzimit të situatës”, shtoi ndihmësi, i cili foli në mënyrë anonime në përputhje me praktikën e Presidencës franceze për bisedimet e ndjeshme

Për dy dekada Vladimir Putin i ka goditur rivalët e tij si i pamatur, impulsiv. Por kjo sjellje e tij në urdhërimin e një lufte në Ukrainë – dhe tani duke i vendosur armët bërthamore në gjendje gatishmërie, ka hasur disa persona në Perëndim të dyshojnë në qoftë se presidenti rus është bërë rrezikshmërisht i paqëndrueshëm.

Këto ditë Putini ka folur me teori konspirative të përsëritshme për neonazizmin dhe për agresionin perëndimor. Ai e qortoi shefin e tij të jashtëm të Inteligjencës në kamera nga ana tjetër e një salle të Kremlinit ku ishte i ulur vetëm. Tani, me sanksionet e Perëndimit, të cilat rrezikojnë të dëmtojnë ekonominë tashmë të rrënuar të Rusisë, Putini ka urdhëruar shkallë më të lartë të gatishmërisë për armë bërthamore, duke fajësuar sanksionet dhe çfarë ai e quajti “deklaratat agresive kundër shtetit tonë”.

Pasiguria mbi të menduarit e tij shton një kartë të egër në luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Zyrtarët perëndimorë duhet të përballen me Putinin, pasi ata gjithashtu dyshojnë nëse ai i kupton apo kujdeset për pasojat kataklizmike – apo ndoshta është qëllimisht duke u prehur mbi dyshimet e njëpasnjëshme mbi të.

“Në parajsë si martirë”

Një ndihmës i presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili foli me Putinin të hënën, tha se lideri rus iu përgjigj Makronit “pa treguar irritim, në një mënyrë shumë klinike dhe të vendosur”.

“Mund të shohim se me gjendjen mendore të presidentit Putin është një rrezik i përshkallëzimit të situatës”, shtoi ndihmësi, i cili foli në mënyrë anonime në përputhje me praktikën e Presidencës franceze për bisedimet e ndjeshme. "Ekziston rreziku i manipulimit nga presidenti Putin për të justifikuar atë që është e pajustifikueshme”.

Udhëheqësit e huaj janë përpjekur prej kohësh të futen në kokën e Putinit dhe kanë gabuar më parë. Dhe Putini në këtë krizë po tregon shumë nga të njëjtat tipare që ai ka shfaqur që kur u bë lider i Rusisë. Putini ka drejtuar pushtimet e fqinjëve, teoritë e pashkelura të konspiracionit dhe gënjeshtra të plota, dhe ka urdhëruar operacione të guximshme, si ndërhyrja në dy zgjedhjet e kaluara presidenciale në SHBA.

Ai mori vendime historike i vetëm, si aneksimi i Gadishullit të Krimesë së Ukrainës në vitin 2014, duke u konsultuar vetëm me rrethin e ngushtë të tij të veteranëve të KGB-së dhe duke i mbajtur të gjithë të tjerët në errësirë. Ai ka qenë prej kohësh i rrethuar nga togerë që hezitojnë të rrezikojnë karrierën e tyre duke kërkuar kujdes, e lëre më duke shprehur opinione të kundërta.

Ai gjithashtu ka folur për luftën bërthamore, dhe dikur mendoi se një konflikt i tillë do të përfundonte me shkuarjen e rusëve "në parajsë si martirë".

Ndikimi emocional

Ekspertët thonë se Putini mund të përdorë spektrin e konfliktit bërthamor për të thyer mbështetjen në rritje për mbrojtjen e Ukrainës dhe për të detyruar lëshime. Komentet e tij të fundit sugjerojnë gjithashtu se sanksionet po funksionojnë.

“Duhet të dimë se kjo është një shenjë se po i afrohemi atij”, tha Jim Townsend, ish-zëvendësndihmëssekretar i Mbrojtjes dhe një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane. “Thjesht, duhet ta kemi parasysh këtë. Duhet të jemi mirë”.

Zyrtarët në SHBA u alarmuan nga një ese prej 5000 fjalësh e botuar me emrin e Putinit në korrik, që argumentonte se rusët dhe ukrainasit janë një popull dhe fajësonte çdo ndarje për komplotet e huaja. Një zyrtar i administratës Biden, duke folur në kushte anonimiteti për të diskutuar mendimin e brendshëm të Qeverisë së SHBA-së, tha se komuniteti i Inteligjencës ishte i shqetësuar se Putini po vepronte nga "një vend emocional" dhe i nxitur nga ankesat e gjata që ziejnë.

Kohët e fundit Macroni shkoi për t'u takuar me Putinin dhe pati disa telefonata të gjata përpara pushtimit. Një zyrtar i lartë në zyrën e Macron-it tha javën e kaluar se Putini "nuk ishte më i njëjti", ishte bërë "më i ngurtë, më i izoluar" dhe në thelbin e tij ishte kthyer në qasjen që tani po luhet.

Gjatë një darke pesorëshe mes dy liderëve, Putini kaloi më shumë kohë duke diskutuar për zgjerimin e NATO-s dhe për revolucionin e vitit 2014 në Ukrainë sesa duke diskutuar për krizën e menjëhershme.

Vetizolimi

Vetizolimi i perceptuar i Putinit u theksua në takimet e fundit zyrtare të transmetuara nga televizioni shtetëror. Ai u përball me udhëheqës të huaj dhe me ndihmës të afërt nga ana e kundërt e një tryeze të gjatë. Asnjë zyrtar rus që foli nuk dha një pikëpamje të kundërt.

"Ai nuk ka pasur kaq shumë njerëz që kanë të dhëna të drejtpërdrejta për të", tha senatori Mark Warner, demokrat nga Virxhinia që kryeson Komitetin e Senatit për Inteligjencën. “Pra, ne jemi të shqetësuar se ky individ i izoluar është bërë një megaloman për sa i përket nocionit të tij se është figura e vetme historike që mund të rindërtojë Rusinë e vjetër ose të rikrijojë nocionin e sferës sovjetike”.

Putini ka qenë që një kohë të gjatë i vendosur në rikuperimim e lavdisë së humbur, në shtypjen e mospajtimit dhe mbajtjen e fqinjëve në orbitën e Moskës. Në vitin 2005 ai e quajti rënien e Bashkimit Sovjetik "katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit". Rusia ka bërë një luftë me Gjeorgjinë, ka aneksuar Krimenë e Ukrainës, ka mbështetur separatistët në Ukrainën Lindore dhe në fillim të këtij viti ka vendosur shkurtimisht trupa për të ndihmuar në shuarjen e protestave në Kazakistan.

Hedhja poshtë publikisht e sovranitetit të Ukrainës daton shumë vjet më parë. Në vitin 2008, raportohet se ai i ka thënë presidentit Xhorxh W. Bush, “George, duhet të kuptosh që Ukraina nuk është asnjë vend”.

Një vit më parë ai shfaqi zemërimin e tij ndaj SHBA-së dhe NATO-s në një fjalim të rëndësishëm në Konferencën e Sigurisë së Munihut, duke goditur zgjerimin e Aleancës drejt Lindjes dhe duke sulmuar ndërhyrjen ushtarake amerikane jashtë vendit. SHBA-ja ishte e zhytur në atë kohë në luftën e Irakut, e nisur në bazë të pohimeve të rreme se Iraku kishte aftësi armësh bërthamore.

“Shtetet e Bashkuara kanë tejkaluar kufijtë e tyre kombëtarë në çdo mënyrë”, pati thënë Putini atëherë. “Kjo është e dukshme në politikat ekonomike, politike, kulturore dhe arsimore që u imponon kombeve të tjera”.

Babëzia për lavdi

Republikani Chris Stewart, republikan i Utah-ut, i cili është pjesë e Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, tha se nuk kishte parë prova përpara pushtimit në Ukrainë që sugjeronin se Putini po sillej në mënyrë irracionale dhe ai vuri në dukje se liderët e tjerë botërorë në histori janë hedhur poshtë nga të huajt si të paarsyeshëm. Putini, tha ai, ka "një oreks të jashtëzakonshëm për rrezik kur bëhet fjalë për Ukrainën".

Dy vjet më parë, Putini miratoi versionin e fundit të një politike ruse të parandalimit bërthamor që lejon përdorimin e armëve atomike në përgjigje të një sulmi bërthamor ose agresioni që përfshin armë konvencionale që “kërcënon vetekzistencën e shtetit”.

Bashkëpunëtori i Putinit, Dmitry Medvedev, i cili shërbeu si president i vendit kur Putin u zhvendos në postin e kryeministrit për shkak të kufizimeve të mandatit, tha në vitin 2019 se një lëvizje e Perëndimit për të shkëputur Rusinë nga sistemi financiar SWIFT do të përbënte një shpallje efektive të luftës - një sinjal se Kremlini mund t'i shohë sanksionet perëndimore si një kërcënim të barabartë me agresionin ushtarak. Sanksionet e shpallura ditët e fundit përfshijnë heqjen e bankave kryesore ruse nga SWIFT-i. Rubla ka rënë që atëherë.

Në vitin 2018, Putini i tha një auditori se Rusia nuk do të godiste e para në një konflikt bërthamor, por teorizoi për hakmarrjen ndaj një sulmi të afërt të armikut, duke shtuar me një buzëqeshje: “Ne do të ishim viktima të agresionit dhe do të shkonim në parajsë si martirë. Dhe ata thjesht do të vdesin dhe nuk do të kenë as kohë të pendohen”.

Modeli kuban

James M. Acton, bashkëdrejtor i Programit të Politikës Bërthamore në “Carnegie Endowment for International Peace”, tha se ai nuk besonte se lufta bërthamore ishte e afërt, por kishte potencial real për përshkallëzim. Një mundësi tjetër ishte se Putini do të përdorte taktika gjithnjë e më brutale jobërthamore në Ukrainë.

Në vitin 1962, gjatë krizës së raketave kubane, SHBA-ja në mënyrë të fshehtë ra dakord të largonte raketat bërthamore nga Turqia në këmbim të tërheqjes së sovjetikëve nga Kuba.

Por, shtoi Acton: "Unë nuk jam plotësisht i qartë nëse ai në mendjen e tij e di se si duket një platformë jashtë platformës tani".

Jeffrey Lewis, një ekspert i politikës bërthamore në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare të Middlebury, tha se ai nuk ishte i shqetësuar menjëherë për një përshkallëzim bërthamor. Por një rrezik i dërgimit të sinjaleve publike për armët bërthamore është se ato mund të jenë të vështira për t'u interpretuar, tha Lewis, ashtu siç bota po përpiqet tani të kuptojë lëvizjet dhe synimet e fundit të Putinit.

"Ai është i izoluar dhe merr vendime të këqija dhe humb", tha Lewis. "Dhe kjo është e rrezikshme”.

Përktheu: Albina Sahiti