Botë

Çifti ukrainas që po e kalon muajin e mjaltit duke luftuar

Descriptive Text

Vetëm pak orë pas martesës, në ditën e parë të pushtimit rus, çifti ukrainas Yaryna Arieva dhe Svytoslav Fursin i janë bashkuar ushtrisë për të mbrojtur vendin e tyre.

Çifti fillimisht kishte planifikuar që të martohej në muajin maj, mirëpo nxituan që të bënin kurorë në Kiev javën e kaluar, kur Rusia nisi pushtimin, dhe më pas ata iu bashkuan rezistencës.

Të veshur me veshje ushtarake dhe duke mbajtur armë në dorë, çifti i ri ka folur për CNN-in rreth muajit të mjaltit, të cilin po e kalojnë duke jetuar në një qytet të rrethuar dhe duke mbajtur armët për të luftuar kundër trupave ruse që pushtuan atdheun e tyre.

Arieva ka thënë se zakonisht në ditën e parë të pranverës, njerëz në Ukrainë shihen duke mbledhur lule, mirëpo tani ata po mundohen t’u rezistojnë sulmeve ruse.

“Askush këtu nuk thotë se do të humbasim. Të gjithë këtu besojnë se do të fitojmë. Është e gjitha vetëm një çështje kohe. Pra, jam shumë e lumtur që shoh këtë numër të madh njerëzish, të cilët janë vërtet të gatshëm për të luftuar. Duke qenë gati të vrasin për tokën e tyre. Duke mos pasur asnjë dyshim për fitoren tonë në këtë luftë”, ka thënë ajo.

Burri i saj, Fursin, ka lindur në qytetin perëndimor të Lviv dhe ka thënë se "njerëzit e tij duan të jenë gjithmonë të lirë".

“Këta njerëz janë gati të luftojnë për lirinë e tyre”, ka thënë Fursin.

Duke shkuar në misione luftarake, ai është i shqetësuar për sigurinë e familjes së tij - gruas, prindërve dhe motrës së tij, por ka thënë se "do të bëjë gjithçka për t'i mbrojtur ata".

Çifti i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojë Ukrainën me para, ushqime, armë dhe ndihmë mjekësore dhe të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë.

Fursin ka thënë se shpreson se do të vijë së shpejti koha kur ai mund të mbledhë familjen dhe miqtë e tij "të gjithë në një vend dhe të pijë një gotë verë të mirë. Dhe t'u thotë të gjithëve, "Hurray, lufta mbaroi, ne fituam".