Botë

Cila është lëvizja e radhës e Putinit

Descriptive Text

Për muaj të tërë, udhëheqësi rus e ka mbajtur botën të hamendësojë. A do të nisë apo jo një pushtim të plotë të Ukrainës? A po planifikon apo jo të shkatërrojë rendin e sigurisë të pas-Luftës së Ftohtë në Evropë?

Vendimi i tij për të njohur pavarësinë e dy republikave të shkëputura në Ukrainën lindore befasoi shumë njerëz, shkruan BBC.

Por cila do të jetë lëvizja e radhës e presidentit Vladimir Putin?

“Qëndrimi pezull është mjeti i preferuar i Putinit”, thotë Lilia Shevtsova, autore e librit “Rusia e Putinit”.

“Ai do të ruajë tensionin, duke ndezur dhe fikur zjarrin”.

"Nëse ai ruan logjikën e tij mendore, ai nuk do të tentojë një pushtim të plotë. Por ai ka në dispozicion një sërë veprimesh të mundshme, të tilla si sulmet kibernetike dhe shtrëngimi ekonomikisht i Ukrainës. Një sulm ushtarak rus për të kapur gjithë rajonin e Donetskut dhe Luhanskut është gjithashtu i mundur. Ai do të jetë si një mace që luan me minjtë".

Të kuptosh se çfarë po ndodh pas mureve të Kremlinit është mjaft e vështirë. Leximi i mendjes së Putinit është akoma më sfidues.

Por deklaratat dhe fjalimet e tij japin të dhëna për motivimin e tij. Presidenti Putin është thellësisht i zemëruar për mënyrën se si përfundoi Lufta e Ftohtë, me Rusinë që humbi fuqinë, territorin dhe ndikimin. Zgjerimi i NATO-s në lindje e ka lënë të ndihet i hidhëruar.

Udhëheqësit perëndimorë shpresojnë se një raund i ri sanksionesh kundër Moskës do të jetë një ndryshim i lojës. Por Rusia po flet ashpër.

Amerikanët në paralajmërimin e fundit kanë thënë se 80% e trupave ruse në kufirin me Ukrainën janë në pozicion sulmi.