Botë

Rusia mund ta përdorë kriptovalutën për të shuar forcën e sanksioneve të SHBA-së

Kur Shtetet e Bashkuara i ndaluan amerikanët të bënin biznes me bankat ruse, me zhvilluesit e naftës, gazit, dhe kompanitë e tjera në vitin 2014, pas pushtimit të Krimesë nga Rusia, goditja në ekonominë ruse ishte e shpejtë dhe e madhe. Ekonomistët vlerësuan se sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore i kushtonin Rusisë 50 miliardë dollarë në vit.

Që atëherë, tregu global për kriptovalutat dhe asetet e tjera dixhitale është rritur. Ky është një lajm i keq për zbatuesit e sanksioneve, dhe një lajm i mirë për Rusinë.

Të martën, administrata Biden miratoi sanksione të reja ndaj Rusisë për konfliktin në Ukrainë, duke synuar të pengojë aksesin e saj në kapitalin e huaj. Por entitetet ruse po përgatiten të zbutin disa nga efektet më të këqija duke bërë marrëveshje me këdo në mbarë botën që është i gatshëm të punojë me ta, kanë thënë ekspertët. Sipas tyre, këto subjekte mund të përdorin më pas monedhat dixhitale për të anashkaluar pikat e kontrollit në të cilat mbështeten qeveritë – kryesisht transferimet e parave nga bankat.

"Rusia ka pasur shumë kohë për të menduar për këtë pasojë specifike," ka thënë Michael Parker, një ish-prokuror federal i cili tani drejton praktikën kundër pastrimit të parave dhe sanksioneve në firmën juridike në Washington, Ferrari & Associates.

“Do të ishte naive të mendosh se ata nuk e kanë realizuar pikërisht këtë skenar”, ka shtuar Parker.

Sanksionet janë disa nga mjetet më të fuqishme që Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane kanë, për të ndikuar në sjelljen e kombeve që nuk i konsiderojnë aleate. Shtetet e Bashkuara në veçanti janë në gjendje të përdorin sanksionet si një mjet diplomatik, sepse dollari është monedha rezervë botërore dhe përdoret në pagesa në mbarë botën. Por zyrtarët e qeverisë amerikane janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për potencialin që kriptovalutat të pakësojnë ndikimin e sanksioneve dhe po rritin kontrollin e tyre të aseteve dixhitale.

Për të aplikuar sanksione, një qeveri bën një listë të njerëzve dhe bizneseve që qytetarët e saj duhet të shmangin. Kushdo që kapet duke u angazhuar me një anëtar të listës përballet me gjoba të rënda. Por çelësi i vërtetë për çdo program efektiv të sanksioneve është sistemi financiar global. Bankat në mbarë botën luajnë një rol të madh në zbatimin e tyre: ato shohin se nga vijnë paratë dhe ku janë të lidhura, dhe ligjet kundër pastrimit të parave u kërkojnë atyre të bllokojnë transaksionet me subjektet e sanksionuara dhe të raportojnë atë që shohin tek autoritetet, shkruan The New York Times. Por nëse bankat janë sytë dhe veshët e qeverive në këtë hapësirë, shpërthimi i monedhave dixhitale po i verbon ato.

Presidenti Biden ka thënë se administrata e tij do të vendosë sanksione ndaj Rusisë “shumë përtej” atyre me të cilat vendi u përball në vitin 2014 pas pushtimit të Krimesë.

Mirëpo, në teto të vitit 2021, Departamenti i Thesarit i SHBA-së paralajmëroi se kriptovalutat përbënin një kërcënim gjithnjë e më serioz për programin amerikan të sanksioneve dhe se autoritetet amerikane duhej të edukoheshin për teknologjinë.

Nëse vendos të shmangë sanksionet, Rusia ka në dispozicion mjete të shumta të lidhura me kriptovalutat, kanë thënë ekspertët. Gjithçka që duhet është të gjejë mënyra për të tregtuar pa prekur dollarin.

Qeveria ruse po zhvillon monedhën e saj dixhitale të bankës qendrore, një të ashtuquajtur rubla dixhitale që shpreson ta përdorë për të tregtuar drejtpërdrejt me vendet e tjera, të gatshme ta pranojnë atë pa e konvertuar më parë në dollarë. Teknikat e hakerimit si ransomware mund të ndihmojnë akterët rusë të vjedhin monedhat dixhitale dhe të kompensojnë të ardhurat e humbura nga sanksionet.

Dhe ndërsa transaksionet e kriptomonedhave regjistrohen në blockchain themelor, duke i bërë ato transparente, mjetet e reja të zhvilluara në Rusi mund të ndihmojnë në maskimin e origjinës së transaksioneve të tilla. Kjo do t'i lejonte bizneset të tregtojnë me subjektet ruse pa zbulim.

Irani dhe Koreja e Veriut janë ndër vendet që kanë përdorur monedhat dixhitale për të zbutur efektet e sanksioneve perëndimore, një prirje që zyrtarët e SHBA-së dhe Kombeve të Bashkuara e kanë vërejtur kohët e fundit. Koreja e Veriut, për shembull, ka përdorur ransomware për të vjedhur kriptomonedhën për të financuar programin e saj bërthamor, sipas një raporti të OKB-së.

Në tetor të vitit 2020, përfaqësues të bankës qendrore të Rusisë i thanë një gazete të Moskës se "rubla dixhitale" e re do ta bënte vendin më pak të varur nga Shtetet e Bashkuara dhe më të aftë për t'i rezistuar sanksioneve. Ai do t'i lejonte subjektet ruse të kryejnë transaksione jashtë sistemit bankar ndërkombëtar me çdo vend që dëshiron të tregtojë në monedhën dixhitale.

Që kur Bitcoin u konceptua për herë të parë në 2008, mijëra monedha të tjera virtuale, të njohura si kriptovaluta, janë zhvilluar. Midis tyre janë Ether, Dogecoin dhe Tether.